Bashkëshortja e pilotit të avionit ukrainas me pasagjerët që u godit me raketë “jo qëllimisht” nga Irani, rrëfen se iu ishte lutur bashkëshortit të saj që të mos fluturonte, në bisedën e fundit që kishte pasur me të.

Duke folur për Sky News, Katerina Gaponenko tha se ajo dhe bashkëshorti Volodymyr prisnin që fluturimi Kiev-Teheran-Kiev të anulohej, për shkak të tensioneve në rritje mes SHBA-ve dhe Iranit. Por kur kjo nuk ndodhi, ajo ishte ndjerë shumë e shqetësuar.

Në një bisedë të fundit që bashkëshortët, prindër të dy vajzave të vogla, kishin pasur, ata kishin folur për këtë fluturim dhe Katerina iu ishte lutur bashkëshortit që të mos e pilotonte avionin.

“I kërkova që të mos fluturonte, mos e bëj, i thashë. Por ai më tha se nuk ishte në dorën e tij, se nuk kishte kush ta zëvendësonte dhe nëse fluturimi do të bëhej atij i duhej të shkonte. I kërkova që të qëndronte”, rrëfeu Katerina.

Volodymyr Gaponenko fluturoi me Boeing-un 737 nga Kievi për në Teheran më 7 Janar. Të nesërmen në mëngjes, avioni po kthehej, pavarësisht faktit se Irani kishte lëshuar dy raketa drejt bazave amerikane në Irak, në shenjë hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vrasjen e Qasm Soleimani-t.

176 personat që ndodheshin në bordin e avionit humbën jetën, kur mjeti u rrëzua disa minuta pasi ishte larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini, në Teheran, në orën 06:10 të mëngjesit me orën lokale, të mërkurën.

Irani pranoi se avioni ishte goditur aksidentalisht me raketë, si pasojë e një gabimi njerëzor./tvklan.al