Sallabanda: Sindromi post Covid, humb kujtesën tek gratë

Spanja e ka kaluar pikun e valës së dytë të koronavirusit, ku incidenca ka rënë nën 500 të infektuar për 100 mijë banorë. Në një intervistë për televizionin Klan neurokirurgu Kita Sallabanda u shpreh se izolimi selektiv bëri të mundur nxjerrjen e Spanjës nga zona e rrezikut.

“Situata ka filluar të stabilizohet. Jemi optimistë që e kemi kaluar pikun e valës së dytë dhe tani po mendojmë nëse do të kemi një valë të tretë apo jo. Kemi filluar të izolojmë, ato zona të cilat mendojmë që ka një përqindje të madhe të infektuarve”, tha Sallabanda.

Gjatë trajtimit të personave me Covid, mjekët spanjollë janë përballur me disa pasoja që virusi lë tek gratë rreth të 40-ave që ata e quajnë sindromi post Covid.

“Është me humbje të kujtesës. Ka të sëmurë që marrin makinën për të vajtur në punë ose në një vend tjetër dhe harrojnë së ku do të shkojnë. Ka njerëz që kanë humbur kujtesën. Kanë një lodhje të përgjithshme. Kanë dhimbje trupi”, tha ai.

Por si trajtohen ato?

I trajtojmë në mënyrë simptomatike për çështjen e lodhjes, ndërsa për çështjen e kujtesës kemi problemin se nuk kemi akoma formën se si… Jemi përpara një fenomeni të panjohur”, tha Sallabanda.

Për të zbuluar se pse sindromi post Covid prek gratë në moshë aktive dhe nëse pasojat do të jenë afatshkurtra, apo të përhershme, ka nisur mbledhja e të dhënave në disa shtete europiane.

Tv Klan