IGJEUM paralajmëron rrezik të shtuar për zjarre

Pas 24 orësh zjarri në malin e Torovicës është shuar plotësisht. Përpjekjet e zjarrfikësve dhe forcave të ushtrisë bënë të mundur që zjarri të vihej nën kontroll që në orët e para të mëngjesit, megjithatë ende vijonte të kishte prani zjarri dhe trungje pemësh që rrezikonin aktivizim.

Në orët e pasdrekës u bë i mundur edhe shuarja e plotë e këtyre vatrave.

Për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta flakët u përhapën me shpejtësi një ditë më parë duke djegur një sipërfaqe prej 10 hektarësh bimësi dhe shkurre, por fatmirësisht u shmang mundësia e djegies së banesave.

Nën kontroll është venë edhe vatra në zonën e Krujës.

Me rritjen e temperaturave të larta Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron rrezik të mundshëm për zjarre në të gjitha qarqet e vendit, veçanërisht në Fier. Përballë kësaj situate, Tv Klan u interesua pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në lidhje me kapacitetet që ka për të përballuar muajt e Verës.

Sipas Ministrisë, Shërbimi Zjarrfikës ka në total 168 mjete në të gjithë vendin, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka 9 mjete te tilla si dhe një helikopter Cougar për shuarjen e zjarreve. 

Në rastet e pamjaftueshmërisë se kapaciteteve Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, i drejtohet 2 qendrave për asistencë ndërkombëtare si ajo Euro-Atlantike e Koordinimit të Përgjigjes ndaj fatkeqësive. Rasti më i fundit ishte ndihma nga shteti grek për fikjen e zjarrit në ishullin e Sazanit.

Tv Klan