80% e popullsisë e vaksinuar me të dyja dozat

Izraeli arrin të krijojë imunitetin e tufës falë vaksinimit masiv. Mbi 80% e popullsisë mbi 16 vjeç tashmë i ka marrë të dyja dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech dhe efektet pozitive duken qartë edhe tek rënia drastike e infektimeve ditore dhe e numrit të të shtruarve në spitale.

Shifrat e 24-orëshit të fundit tregojnë 164 infektime të reja dhe 4 viktima. Ky nivel kaq i ulët shifrash ditore nuk ishte arritur prej Qershorit të vitit të kaluar. Treguesit tepër pozitivë i krijuan mundësinë qeverisë të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm drejt rikthimit në normalitetin e para pandemisë.

Nga e diela, maska në ambiente të jashtme nuk është e detyrueshme. Qytetarët e Tel Avivit mesa duket mezi e kanë pritur këtë moment dhe siç duket edhe nga pamjet, të gjithë i kanë hequr maskat.

Kafenetë, dyqanet e qendrat tregtare u hapën që në fund të Marsit. Megjithatë, ekspertët i druhen variantit afrikano-jugor të koronavirusit. Studimet kanë treguar se me lehtësimin e masave anti-COVID, ky variant mund të zgjerojë përhapjen pasi kapërcen mbrojtjen e krijuar nga vaksina Pfizer. Aktualisht të infektuarit me këtë variant në Izrael nuk përbëjnë më shumë se 1% të rasteve. 

Tv Klan