Gantz: Brenda kësaj date, Hamasi të lirojë pengjet
Qeveria izraelite i vendos ultimatum Hamasit, të lirojë pengjet e mbetur në duart e tyre brenda 10 Marsit. Në të kundërt, në këtë datë ushtria izraelite do të nisë ofensivën tokësore edhe në Rafah.
Kjo është hera e parë, që prej 7 tetorit, që Tel Avivi jep një datë të saktë për nisjen e sulmit tokësor dhe këtë e bëri anëtari i kabinetit qeveritar të luftës, Beni Ganc, në një deklaratë për mediat.

Rafahu është qyteti i fundit i madh në Rripin e Gazës ku ende nuk ka shkelur këmba e ushtarëve izraelitë. Nisja e sulmit tokësor në këtë qytet kundërshtohet edhe nga aleatët perëndimorë të Izraelit, pasi aty strehohen 1.5 milionë banorë të ardhur nga vende të tjera të territorit palestinez për t’i shpëtuar luftës.
Nisja e sulmit tokësor do të bllokonte edhe hyrjen e ndihmave nga Egjipti, pasi në Rafah ndodhen pikat kufitare kryesore nga ku hyjnë ndihmat në Rripin e Gazës.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paralajmëroi se nuk do t’i bindet thirrjeve për të hequr dorë nga ndërhyrja në Rafah, pasi sipas tij ata kërkojnë kapitullimin e Izraelit që po e fiton luftën kundër Hamasit.
Tv Klan