Vendim për heqjen e maskës në ambientet e jashtme dhe hapjen e shkollave

Autoritetet izraelite kanë njoftuar se vendosja e maskës nuk do të jetë më e detyrueshme në ambiente të jashtme. Por rregulli vlen ende për ambientet e brendshme. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se të gjitha shkollat janë hapur në këtë vend, pas fushatës së gjerë të vaksinimit kundër koronavirusit.

Pas rikthimit te normalitetit u është bërë thirrje institucioneve arsimore që të inkurajojnë mbajtjen e higjienës personale, ajrimin e klasave dhe mbajtjen e distancës fizike, sa më shumë që është e mundur gjatë pushimeve mes orëve të mësimit.

Me një popullsi prej 9.3 milionë banorësh, ky vend ka vaksinuar 54 për qind të qytetarëve të vet me dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech. Izraeli i konsideron palestinezët në Jerusalemin Lindor si pjesëtarë të popullsisë së vet, prandaj ka vaksinuar njerëzit edhe atje.

Ndërkohë 5.2 milionë palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, kanë pranuar një sasi të kufizuar të vaksinave nga Izraeli, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, dhe skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila synon të shpërndajë vaksina kundër koronavirusit për vendet e varfra.

Klan News