Parlamenti izraelit vendosi që vendi të mbajë zgjedhje të reja më 2 Mars të vitit që po vjen, të tretat me radhë në më pak se një vit, pasi Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe rivali i tij kryesor nuk arritën marrëveshje për një koalicion qeverisës.

Me 94 vota pro dhe asnjë kundër, ligjvënësit miratuan një mocion për shpërndarjen e Parlamentit dhe caktimin e datës së re të zgjedhjeve. Vendimi u mor disa orë pasi skadoi afati për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve të muajit Shtator.

Në ato votime, sikurse edhe të muajit Prill, partia konservatore Likud e Netanyahu ishte ‘kokë më kokë’ me partinë e ish-gjeneralit Benny Gantz. Asnjëri nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme në Parlamentin me 120 vende për të ngritur një koalicion të qëndrueshëm qeverisës.

Zgjedhjet e reja do të mbahen nën hijen e akuzave për korrupsion që u ngritën muajin e kaluar kundër Kryeministrit Netanyahu.

Duke mohuar këto pretendime, Netanyahu ka akuzuar autoritetet ligjore për përpjekje për një “grusht shteti” që synonte rrëzimin e një udhëheqësi popullor. Kritikët pohojnë se Netanyahu po përpiqet të pengojë shtetin e së drejtës dhe të vendosë në qendër të fushatës portretizimin e vetëvetes si viktimë të një komploti shtetëror.

Si kryeministër, Netanyahu nuk ka asnjë detyrim ligjor të japë dorëheqjen për shkak të aktakuzës, dhe ndërsa është në detyrë ai mund t’u kërkojë ligjvënësve t’i japin atij imunitet nga ndjekja penale.

Netanyahu do të mbajë postin deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të reja, një proces që mund të zgjasë me muaj pas votimeve të Marsit. /VOA