Izraeli ka fajësuar Iranin për sulmin ndaj një cisterne të naftës që menaxhohet nga Izraeli. Sulmi ndodhi në Oman, ku  humbën jetën dy anëtarë të ekuipazhit, një britanik dhe një rumun. Sipas zyrtarëve izraelitë Teherani po “mbjell dhunë dhe shkatërrim”. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid ka kërkuar nga Sekretari i Jashtëm britanik që të ketë një përgjigje më të ashpër për incidentin.

“Irani nuk është vetëm problem i Izraelit, por një eksportues i terrorizmit, i shkatërrimit dhe paqëndrueshmërisë që na dëmton të gjithë ne. Bota nuk duhet të qëndrojë e heshtur përballë terrorizmit iranian që gjithashtu dëmton lirinë e transportit”, tha ai përmes një deklarate.

Irani ende nuk ka patur një reagim zyrtar mbi akuzat e ngritura nga Izraeli. Irani gjithashtu e ka fajësuar Izraelin se qëndron prapa një serie sulmesh në ndërtesat e tij bërthamore.

Tensionet në Gjirin Persik janë rritur më shumë që kur Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet ndaj Iranit më 2018, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump deklaroi në atë kohë se  vendi i tij do të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e nënshkruar në vitin 2015 midis Republikës Islamike dhe gjashtë fuqive botërore.

Klan News