Teksa u duk se u ndez një dritë jeshile për një armëpushim të përkohshëm mes Izraelit dhe Hezbollahut, një gjë të tillë e ka mohuar zyra e kryeminsitrit izraelit Benjamin Netanyahu. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz hodhi poshtë të enjten propozimet për një ndalesë 21-ditore të luftimeve që kanë vrarë qindra njerëz në Liban dhe eshte ngritur frika e një pushtimi tokësor.

“Nuk do të ketë armëpushim në veri. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër organizatës terroriste Hezbollah me të gjitha forcat tona deri në fitore dhe kthimin e sigurt të banorëve të veriut në shtëpitë e tyre,” tha Katz në një deklaratë në platformën “X”.

Komentet rrëzuan shpresat për një zgjidhje të shpejtë paqësore, pasi kryeministri Najib Mikati kishte shprehur shpresën se një armëpushim mund të arrihet së shpejti në Liban, ku qindra mijëra njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre duke kërkuar siguri.

Luftimet janë zhvilluar edhe këtë të enjte pavarësisht thirrjeve për armëpushim. Ushtria izraelite tha se goditi rreth 75 objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor dhe në rajonin Bekaa. Po ashtu ushtria izraelite tha se rreth 45 raketa ishin lëshuar nga Libani në territorin e saj. Në një sulm të fundit 72 persona mbetën të vrarë, ndërsa në total që nga e hëna mbi 600 persona javë vrarë në luftime.

Negociatat pa pushim të SHBA-së dhe të aleatëve kishin si qëllim vendosjen e një armëpushimi 21-ditor dhe se kjo periudhë do të shërbente për të lejuar zhvillimin e bisedimeve. Deklarata e përbashkët, e negociuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, thotë se luftimet e fundit janë të patolerueshme dhe paraqesin një rrezik të papranueshëm të një përshkallëzimi më të gjerë rajonal.

Klan News