Izraeli ndaloi të enjten dy ligjvënëse amerikanë të hynin në vend, duke i dhënë shkas një raundi të ri polemikash në debatin mbi mbështetjen e SHBA për aleatin e tyre në Lindjen e Mesme.

Anëtaret demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib janë kritike të zëshme të Izraelit dhe të trajtimit prej tij të palestinezëve. Ato kishin në plan të vizitonin Izraelin dhe disa qytete në Bregun Perëndimor në ditët e ardhshme.

Zëvendës Ministrja e Jashtme e Izraelit Tzipi Hotovely i tha transmetuesit publik Kan: “Ne nuk do të lejojmë të hyjnë në Izrael ata që mohojnë të drejtën tonë për të ekzistuar në këtë botë. Në parim, ky është një vendim shumë i justifikuar.”

Presidenti i ShBA Donald Trump komentoi në Twitter pak para njoftimit: “Izraeli do të tregonte dobësi të madhe nëse lejonte që ligjvënëset Omar dhe Tlaib të vizitonin vendin. Ato e urrejnë Izraelin dhe tërë popullin hebre, dhe nuk ka asgjë që mund të thuhet ose të bëhet për të ndryshuar mendjen e tyre. “

Kritikat e shpeshta të ligjvënëseve Omar dhe Tlaib ndaj Izraelit, prej muajsh janë bërë shkak për akuza për antisemitizëm ndaj tyre.

Omar dhe palestinezo-amerikania Tlaib janë përkrahëse të lëvizjes BDS (Bojkot, Tërheqje Investimesh dhe Sanksione), që i bën trysni ekonomike Izraelit për t’i dhënë fund pushtimit të Bregut Perëndimor. Disa përkrahës të lëvizjes mbështesin zgjidhjen me një shtet të vetëm, që kritikët thonë se do të çonte në shkatërrimin e shtetit hebre./VOA