Lehtësira për personat që kanë marrë injeksion

Izraeli është i pari vend në botë që krijon lehtësira për të vaksinuarit kundër COVID-19.

Në këtë vend ka nisur përdorimi i certifikatave elektronike të vaksinimit, një dokument që u mundëson vetëm të vaksinuarve hyrjen lirisht në qendra tregtare, dyqane, librari, muze, pishina, hotele etj.

Baret dhe restorantet do të hapen në Mars. Autoritetet nisën të dielën lehtësimin e masave të bllokadës së tretë kombëtare për frenimin e përhapjes së COVID-19.

Deri më tani është vaksinuar gati gjysma e popullsisë 9 milionëshe me të paktën 1 dozë. Ndërsa të pavaksinuarit do të vazhdojnë t’u nënshtrohen masave të rrepta të karantinës. Maskat megjithatë nuk do të hiqen.

Shifrat e infektimeve ditore janë përgjysmuar krahasuar me rekordet e një muaji më parë në Izrael. Këtë autoritetet ia atribuojnë procesit të suksesshëm të vaksinimit por edhe karantinave kombëtare.

Infektimet ditore janë në rënie ose të qëndrueshme edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

Shifrat amerikane të infektimeve kanë arritur nivelin më të ulët që prej Tetorit, para nisjes së valës së dytë të infektimeve.

Ndër nivelet më të ulëta prej Tetorit janë edhe infektimet në Gjermani ku nga kjo e hënë nisi hapja e shkollave për zonat me infektueshmëri të ulët nga COVID-19.

Nivelin më të lartë të vaksinimit në dy kontinentet e ka Britania e Madhe, ku çereku i popullsisë ka marrë të paktën 1 dozë.

Megjithatë masat e ashpra anti-COVID të kombinuara edhe me procesin e vaksinimit mendohet të kenë dhënë efekte pozitive në uljen e shifarve të infektimeve.

Tv Klan