Merr fund dinastia e kryeministrit Netanyahu i akuzuar për korrupsion

Udhëheqja 12-vjeçare e Benjamin Netanyahut si kryeministër i Izraelit, më e gjata në historinë e vendit, mund të marrë fund sot nëse parlamenti voton ne orën 15:00 me orën shqiptare për qeverinë e re.

Tetë parti bëjnë pjesë në aleancën e brishtë, me një shumicë të lehtë në parlamentin vendas i quajtur Knesset ku bëjnë pjesë 120 deputetë. Koalicioni i ri qeveritar i krahut të djathtë dhe të majtë, partive të qendrës dhe arabe mbeti i palëkundur pavarësisht një fushate agresive nga pasuesit e zotit Netanjahu, përfshirë kërcënime me vdekje dhe protesta jashtë shtëpive të ligjvënësve.

Drejtuesit e koalicionit, udhëheqësi i një partie të qendrës Yair Lapid dhe politikani ultranacionalist Naftali Bennett, sipas marrëveshjes, do të alternohen në postin e kryeministrit në një rotacion dyvjeçar. Bennett, do të ushtrojë postin e kryeministrit deri në Shtator të vitit 2023 dhe më pas do t’ia dorëzojë atë, Yair Lapid, udhëheqësit të partisë Yesh Atid.

Ndryshimi në pushtet vjen pas disa javë përplasjesh mes protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite në Jeruzalem që shkaktuan shpërthime dhune etnike në qytetet e Izraelit dhe një lufte 11-ditore në Rripin e Gazës. Zgjedhja e qeverisë do t’i japë fund krizës politike që ka zgjatur pothuajse dy vjet në Izrael. Tre palë zgjedhje të përgjithshme janë mbajtur gjatë kësaj periudhe.

Netanyahu, si kreu i partisë së djathtë Likud do të bëhet lider i opozitës. Ai ka sulmuar qeverinë e re të mundshme, duke e quajtur atë një “koalicion të rrezikshëm mashtrimi dhe dorëzimi” dhe është zotuar se do ta “rrëzojë shumë shpejt”. Ndaj Netanyahut po vazhdon gjyqi lidhur me akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Ai i mohon akuzat.

Klan News