Izraeli zgjeroi sulmet ajrore në Liban dhe rrëzoi një raketë që grupi Hezbollah lëshoi ndaj selisë së Mossadit në Tel Avivi. Aviacioni izraelit u përgjigj dhe shkaktoi një shpërthim të madh në qytetin bregdetar Tiros.

Kryeministri Benjamin Netanyahu përsëriti një zotim për të kthyer dhjetëra mijëra izraelitë të evakuuar nga zonat kufitare veriore, në shtëpitë e tyre.

“Jemi të vendosur t’i kthejmë qytetarët tanë të sigurtë në shtëpitë e tyre. Po i japim Hezbollahut goditje që ata as nuk e imagjinonin,” tha Netanyahu.

Sipas shefit të ushtrisë izraelite, sulmet ajrore në Liban do të vazhdojnë për të shkatërruar infrastrukturën e Hezbollahut dhe për të përgatitur rrugën për një operacion të mundshëm tokësor.

Ushtria publikoi pamjet e atyre që tha se ishin sulme në objektet dhe infrastrukturën e magazinimit të armëve të Hezbollahut në Libanin Jugor.

Bilanci ditor i viktimave është tragjik. Sipas autoriteteve libaneze të paktën 51 vetë u vranë dhe 223 u plagosën nga sulmet izraelite të mërkurën.

Shtetet e Bashkuara po drejtojnë përpjekje të reja diplomatike për t’iu dhënë luftimeve si në Gaza ashtu edhe në Liban, duke i lidhur dy konfliktet si pjesë e një nisme të vetme.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se rreziku i përshkallëzimit në Lindjen e Mesme ekziston dhe se si Uashingtoni ashtu edhe aleatët po punojnë pa u lodhur për të shmangur një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut.

“Jemi mbledhur në një kohë tensioni të lartë. Përgjigja më e mirë është diplomacia dhe përpjekjet tona të koordinuara janë jetike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të hapur rrugën drejt paqes dhe stabilitetit.”

Përkundër këtyre përpjekjeve, Irani i hodhi benzinë zjarrit. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Irani është gati të ndihmojë Libanin. Khamenei, shtoi se vrasja e disa komandantëve të Hezbollahut nuk do ta gjunjëzojë grupin.

Klan News