Nuk janë ndalur bombardimet e ashpra izraelite në Liban edhe këtë Enjte, teksa ushtria e këtij vendi nuk e përjashton mundësinë e nisjes së një sulmi tokësor kundër Hezbollahut, siç pohoi edhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite Herci Halevi gjatë një takimi me ushtarë në terren.

“I dëgjoni avionët mbi kokat tona, jemi duke sulmuar gjithë kohës. Po e bëjmë edhe për të përgatitur terrenin për një hyrje të mundshme por edhe për të dobësuar më tej Hezbollahun”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha këtë të Enjte se Shtetet e Bashkuara dhe Franca i kishin propozuar një armëpushim të përkohshëm, të cilin tha se qeveria e tij as nuk i ishte përgjigjur me rrugë zyrtare. Netanjahu i bëri thirrje ushtrisë të vazhdonte me fuqi të plotë rrugën e nisur.

Vetëm orët e fundit, nga bombardimet izraelite në qytetet jugore të Libanit ka patur mbi 20 viktima. Ndërsa prej të Hënës, numri i të vdekurve përllogaritet në mbi 550.

Kreu qeverisë izraelite u nis për në Nju Jork ku do të flasë edhe për tensionet në Lindjen e Mesme para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Tv Klan