Të paktën 91 palestinezë u vranë dhe dhjetëra u plagosën në sulmet e fundit ajrore në të gjithë Gazën pasi Izraeli rifilloi operacionet tokësore.

Avionët izraelitë lëshuan fletëpalosje në lagjet e banuara, duke urdhëruar njerëzit të largoheshin nga qytetet Beit Lahiya dhe Beit Hanoun në veri si dhe në qytetet në periferinë lindore të Khan Younis në jug.

Pesë anëtarë të stafit të OKB-së mbetën të vrarë gjithashtu. Philippe Lazzarini, kreu i UNRWA, agjencisë së ndihmës palestineze të Kombeve të Bashkuara tha se totali i punonjësve të OKB-së të cilët janë vrarë nga sulmet ka arritur në 284. Gjithashtu forcat izraelite kanë mohuar raportet e mëparshme se kanë shënjestruar një kompleks të OKB-së.

Ushtria izraelite lajmëroi zhvillimin e operacioni tokësor në Rafah. Më shumë se 590 palestinezë janë vrarë në sulme që kur Izraeli theu armëpushimin e Gazës të martën.

Pas dy muajsh qetësie relative, banorët e Gazës po zhvendosen përsëri dhe sipas tyre nuk ka asnjë vend të sigurtë. Izraeli ka deklaruar se ka vënë në shënjestër vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve, sepse po vepron  në zona me popullsi të dendur.

Ndërkaq kabineti izraelit ka votuar shkarkimin e kreut të shërbimit të brendshëm të inteligjencës. Netanyahu tha këtë javë se kishte humbur besimin te Ronen Bar, i cili ka udhëhequr Shin Bet që nga viti 2021, dhe synonte ta shkarkonte atë.

Ronen Bar nuk mori pjesë në mbledhjen e kabinetit, por në një letër dërguar ministrave tha se procesi rreth shkarkimit ishte bazuar në pretendime të pabaza. Nga ana tjetër policia kreu arrestime të shumta pasi përleshjet shpërthyen gjatë protestave në Tel Aviv dhe afër rezidencës së kryeministrit në Jerusalem, ku policia tha se dhjetëra protestues u përpoqën të çanin kordonët e sigurisë.

Vendimi pasoi disa muaj tensionesh mes Barit dhe Netanyahut lidhur me një hetim korrupsioni mbi akuzat se një numri ndihmësve në zyrën e Netanyahut iu ofruan ryshfet nga njerëz të lidhur me Katarin.

Netanyahu e ka hedhur poshtë akuzën si një përpjekje të motivuar politikisht për ta rrëzuar atë, por kritikët e tij e kanë akuzuar atë për minimin e institucioneve që mbështesin demokracinë e Izraelit.

Klan News