Në fillim Gaza, tani Libani në luftë. Ushtria izraelite dhe Hezbollahu po shkëmbejnë çdo ditë breshëri raketash, pasojat po i vuajnë civilët. Këta janë banorë të Libanit Jugor që largohen nga qyteti Sidoni pas paralajmërimit të ushtrisë izraelite.

“Ne do të kthehemi, dhëntë Zoti, do të kthehemi. I thoni Netanyahut se do të kthehemi,” thotë ky banor teksa lë shtëpinë e tij për shkak të shpërthimit të luftës.

Izraeli u ka dhënë kohë banorëve deri mëngjesin e së martës për t’u larguar, shenjë se pas këtij afati bombardimet do të intensifikohen.

Ndërsa ushtria izraelite goditi të hënën Hezbollahun në jug të Libanit dhe rajonin verior pranë Sirisë, ministri i Shëndetësisë i Libanit tha se të paktën 274 njerëz u vranë, përfshirë 21 fëmijë dhe 39 gra dhe 1,024 të tjerë janë plagosur.

Ministri i Shëndetësisë, Firas al-Abiad, tha në një konferencë shtypi në Bejrut se numri i viktimave do të rritet pasi “për fat të keq situata vazhdon të zhvillohet dhe aktualisht ka sulme në zonën Bekaa, përveç sulmeve në jug”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kërkoi popullit të Libanit që të “dalë nga rruga e keqe tani”.

“Unë kam një mesazh për popullin e Libanit: Lufta e Izraelit nuk është me ju. Është me Hezbollahun,” tha Netanyahu.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kryen një sulm ajror në Bejrut të hënën duke synuar komandantin e frontit jugor të Hezbollahut, Ali Karaki. Një zyrtar libanez i tha Sky News Arabia se Karaki u vra në sulm.

Pas sulmit në vendngjarje u krijua kaos. Ambulanca dhe shumë njerëz u mblodhën në rrugë.

Hezbollahu u kundërpërgjigj me breshëri raketash duke ndriçuar qiellin e Izraelit. Në shumicën e rasteve raketat u interceptuan nga sistemi i mbrojtjes ajrore i Izraelit.

Në frontin diplomatik, presidenti i ShBA-së Joe Biden tha se është informuar për gjendjen e fundit dhe po bën gjithçka të mundur për të ndaluar përhapjen e konfliktit. Gjithashtu ShBA-ja dërgoi trupa dhe mjete shtesë në Lindjen e Mesme.

Gjendjen e fundit në terren Biden e diskutoi me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Klan News