Izraeli sulmon Rafahun, streha e fundit e Hamasit


Izraeli sulmon Rafahun, streha e fundit e Hamasit

12:23 12/02/2024

Vriten 67 civilë, shpëtohen 2 pengje izarelite

Ushtria izraelite shpëtoi 2 burra të marrë peng nga Hamasi më 7 Tetor, gjatë një ndërhyrjeje të befasishme në qendër të Rafahut.

Të shpëtuarit janë Luis Har 70 vjeç dhe Fernando Simon Marman 60 vjeç. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se forcat speciale izraelite kryen një ndërhyrje të befasishme, por të vështirë në qendër të Rafahut e cila dha rezultat. Dy të shpëtuarit janë në spitalin e Tel Avivit në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkaq, Rafahu, qyteti i vetëm i mbetur në duart e Hamasit në Rripin e Gazës, u përball gjatë natës me bombardime të ashpra të ushtrisë izraelite. Autoritetet lokale palestineze thanë se 67 civilë humbën jetën nga sulmet ajrore.

Ushtria izraelite është në pritje të urdhërit për të nisur sulmin tokësor, që sipas kryeministrit Netanjahu është kyçi për spastrimin e Rripit të Gazës, një herë e mirë nga Hamasi.

Egjipti dhe aleatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Izraelit të shmangë ndërhyrjen tokësore në Rafahun që rrezikohet nga një katastrofë e rëndë, pasi aty strehohen mbi 1.5 milionë palestinezë të ardhur nga vendbanime të tjera të Rripit të Gazës.

Tv Klan









Të ngjashme