Ushtria izraelite ka tërhequr të gjitha trupat tokësore nga Rripi jugor i Gazës, përveç një brigade. Lajmin e konfirmoi për mediat ndërkombëtare një zëdhënës i ushtrisë së Tel Aviv-it këtë të diel, por pa dhënë detaje të tjera.

Është e paqartë nëse kjo tërheqje do të thoshte anulim të sulmit të paralajmëruar ndaj qytetit të Rafahut, të cilin e ka kundërshtuar ashpër edhe perëndimi. Tërheqja vjen teksa Egjipti përgatitet të presë një raund të ri bisedimesh që synojnë arritjen e një armëpushimi në një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Në Tel Aviv po rritet ndërkohë presioni ndaj qeverisë. Dhjetëra mijëra njerëz dolën sërish në rrugë kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilit i kërkohet t’i japë fund luftës dhe të gjejë një marrëveshje për lirimin e pengjeve nga Gaza. Protestuesit kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Nuk munguan as përplasjet me policinë.

Këtë të diel mbushen 6 muaj nga sulmi i Hamasit që nisi luftën në Gaza. Palët kanë planifikuar të takohen në Kajro për të tentuar të arrijnë një armëpushim. Sulmet e Hamasit të 7 tetorit vranë rreth 1 200 izraelitë. Pas ofensivës së Tel Avivit ndaj Gazës numërohen mbi 33 mijë viktima në radhët e palestinezëve, shumë prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.

Tv Klan