Bombardimet në Bejrut vijuan edhe pas vrasjes së liderit të Hezbollahut Hasan Nasarllah. Ushtria izraelite shënjestroi të tjera objektiva duke vrarë 15 persona. Tanket izraelite janë vendosur në kufi si përgatitje për një sulm të mundshëm tokësor në jug të Libanit, kundër objektivave të Hezbollahut. Qeveria izraelite ende nuk ka marrë një vendim për nisjen e një sulmi tokësor dhe duket se ky hap nuk është i nevojshëm pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hasan Nasrallah që ka shokuar grupin e miliantëve pro-iranianë.

Izraeli eleminoi edhe nëj tjetër figurë të lartë të Hezbollahut Nabil Kaukut, anëtarit të këshillit ekzekutiv të Hezbollahut. Për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, vrasja e Nasrallahut ishte një arritje e madhe dhe një pikë kthese historike që mund të ndryshojë balancat në Lindjen e Mesme. Ai e pranon se Izraelin e presin ditë sfiduese. Ministri i jashtëm iranian Abas Arakxhi paralajmëroi se vrasja e liderit të Hezbollahut, nuk do të kalojë pa hakmarrje. Ndryshe nga konservatorët që duan një kundërpërgjigje të ashpër, duket se presidenti Masud Pezeshkian që i përket linjës liberale kërkon të bëhet kujdes me përshkallëzimin e tensioneve në rajon.

Ndërkaq protestuesit u mblodhën në Sidon për të mbajtur zi për udhëheqësin e Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah. Demonstruesit mbanin parulla dhe fotografi të Nasrallah duke shprehur pikëllimin për vrasjen e liderit të Hezbollahut. Protesta pati gjithashtu edhe pranë ambasadës izraelite në Aman. Jordanezët fajësuan qeveritë arabe për dështimin për t’iu përgjigjur agresionit izraelit kundër palestinezëve në Gaza dhe Hezbollahut në Liban.

Klan News