Operacionet fokusohen në Khan Younis, bisedime të reja për armëpushim në fundjavë

Një sulm i pamëshirshëm izraelit në qytetin e Gazës vrau të enjten 20 palestinezë dhe plagosi 150 që qëndronin në radhë për ushqim, një ngjarje e rëndë që mund të klasifikohet menjëherë si “krim lufte”.

Ky sulm i shtohet një tjetri, një ditë më parë në Khan Younis, nëntë palestinezë u vranë dhe 75 u plagosën në një qendër strehimi të OKB-së, pasi ndërtesa u godit ballë për ballë me predha tanku. Aty strehohen rreth 800 vetë.

Në Gazën Veriore ku ndihmat shkojnë rrallë, qindra palestinezë të uritur grumbullohen të dëshpëruar dhe të uritur në kërkim të ushqimit. Uria mund të vrasë tani më shumë vetë seç ka vrarë ushtria izraelite në katër muaj luftë.

Në jug të enklavës, tanket izraelite goditën zonat rreth dy spitaleve në qytetin kryesor jugor Khan Younis, duke i detyruar njerëzit e zhvendosur të largohen sërish. Të paktën 50 palestinezë janë vrarë në 24 orët e fundit në Khan Younis, ku Izraeli ka zhvendosur operacionet ushtarake.

“Nuk ka zonë të sigurt, ku të shkojmë? Ndaloni luftën, mjafton, ne jemi tharë, të gjithë të uritur, fëmijët dhe të rriturit kanë ikur. Të gjithë janë zhdukur dhe bota po shikon.”

Në përditësimin e saj më të fundit, ushtria izraelite tha se forcat në Khan Younis po luftojnë militantët nëpër lagje dhe po përdorin sulme ajrore precize dhe snajperë për të goditur objektiva të shumta të Hamasit.

Mjekët palestinezë thanë se tanket izraelite po qëllojnë objektivat rreth dy spitaleve kryesore të qytetit ende funksionale, Nasser dhe Al-Amal, duke bllokuar ekipet mjekësore, pacientët dhe njerëzit e zhvendosur të grumbulluar brenda ose afër.

Të enjten, dhjetëra mijëra njerëz të pastrehë të strehuar në një kompleks në Khan Younis u përgatitën të iknin në Rafah, 15 km larg, pasi forcat izraelite të tankeve aty pranë urdhëruan të gjithë civilët brenda të largoheshin, thanë zyrtarët e OKB-së.

Snajperët izraelitë vranë dy vëllezër në Khan Younis ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga zona e luftës. Nahid Adel Barbakh u qëllua me snajper ndërsa vëllai i tij Ramiz u qëllua kur shkoi për ta ndihmuar. Snajperët qëlluan edhe ata që shkuan t’i ndihmojnë.

Thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim urgjent për të mbrojtur civilët kanë rënë në vesh të shurdhër me Izraelin që është zotuar të mos dorëzohet derisa Hamasi të çrrënjoset dhe të lirohen të gjithë pengjet.

Hamasi thotë se çdo marrëveshje varet nga përfundimi i ofensivës dhe rrethimit të Izraelit dhe tërheqja nga Rripi i Gazës. Gjithashtu grupi i rezistencës thotë se do të zbatojë vendimin e GJND-së nëse Izraeli do ta zbatojë gjithashtu.

Bisedimet e ndërmjetësuara për një armëpushim njëmujor që mund të lirojë pengjet në shkëmbim për të burgosurit palestinezë në Izrael, kanë rifilluar. Drejtorët e shërbimit izraelit të zbulimit Mossad dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së do të takohen me kryeministrin e Katarit në Europë këtë fundjavë për të diskutuar një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve, i tha agjencisë Reuters të enjten një zyrtar i informuar për takimin.

Klan News