Vetëm disa javë pasi mori postin e tij, Zv.Presidenti amerikan J.D. Vance shkaktoi polemika me fjalimin e tij në Konferencën e Mynihut, ku u shpreh se evropianët po humbasin lirinë e fjalës.

Këtë herë në një intervistë të fundit Zv.Presidenti amerikan u kërkoi shteteve evropiane të tregojnë pavarësi më të madhe.

“Nuk është mirë që Evropa të jetë vasal i përhershëm i sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Unë nuk dua që evropianët të bëjnë gjithçka që amerikanët u thonë të bëjnë. Unë nuk mendoj se është në interesin e tyre dhe nuk mendoj se është gjithashtu në interesin tone”, tha J.D. Vance.

Vance vuri në dukje se një Evropë e fortë është diçka e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sfiduar dhe frenuar gabimet e politikës së jashtme, si kriza e Suezit dhe lufta në Irak.

“Nëse evropianët do të kishin qenë pak më të pavarur dhe pak më të gatshëm të ngriheshin, atëherë ndoshta do të kishim shpëtuar të gjithë botën nga fatkeqësia që ishte lufta në Irak e udhëhequr nga Amerika”, tha J.D. Vance.

Lidhur me politikat tarifore të Presidentit Trump, zv,presidenti amerikan argumentoi se qëllimi përfundimtar për Shtetet e Bashkuara është të arrijë “drejtësinë” në marrëdhëniet e saj tregtare me vendet e tjera, përfshirë ato me Bashkimit Evropian.

Klan News