Ja cilat janë projektet e reja muzikore të Verës nga Fero




Ja cilat janë projektet e reja muzikore të Verës nga Fero

20:16 14/06/2021

Në emisionin “Rudina” në “Tv Klan”, reperi nga Kosova, Fero, foli edhe për projektet e tij muzikore, me të cilat kohët e fundit ka ardhur me bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm, ku më i fundit është me Genta Ismajlin me këngën “Level Up”.

Ai ka planifikuar shumë koncerte për Verën meqenëse janë lehtësuar masat e pandemisë, në ndryshim nga viti i shkuar dhe në planet e tij është publikimi i disa projekteve të reja, midis tyre një këngë dashurie dhe një koncert shumë i madh në liqenin e Fierzës që e cilëson si mjaft të veçantë pasi do të jetë në anije.

Rudina Magjistari: Kthehemi sërish te muzika. Ti ndërkohë ke realizuar shumë këngë të suksesshme, bashkëpunime me këngëtarë të tjerë, me Kidën, Rina Balajn, Morena Tarakun, Stresin, Genta Ismajlin së fundmi. Ke ndonjë plan që të realizosh ndonjë bashkëpunim tjetër ose një dëshirë në projektet e tua, diçka të re?

Fero: Kam projekte që kam punuar me artistë të ndryshëm sepse për njëfarë kohe nuk bëra shumë bashkëpunime dhe doja të shihja artistët çfarë aftësie e talenti kanë. Momentalisht është koha e koncerteve dhe ka dy ditë që kam ardhur nga Gjermania, nuk kam patur shumë kohë që të punoj shumë me këngën se dua të nxjerr një këngë dashurie për koncertet.

Rudina Magjistari: Edhe e ke shpirtin plot këtë periudhë, je i mbushur besoj.

Fero: Jam i inspiruar, do bëj të pamundurën time. Kam bërë muzikën, demon dhe klipin mund ta bëj brenda 3-4 ditëve.

Rudina Magjistari: Mezi po e presim, është një lajm shumë i bukur edhe për fansat që shumë shpejt do të kenë një këngë të re. Pra, kjo Verë do të jetë vera e koncerteve.

Fero: Po, Vera e koncerteve.

Rudina Magjistari: Si e ke planifikuar, si të duket deri tani?

Fero: Mirë, kam disa koncerte që i kam mbyllur, me të tjera jemi në bisedime. Unë e shoh si një verë shumë të mirë, me shumë koncerte dhe më në fund u hap sezoni kështu që do i shoh fansat kudo.

Rudina Magjistari: Cili është qyteti yt i preferuar kur vjen në Shqipëri, ndoshta edhe në koncerte, ke je kënaqur më tepër?

Fero: Të gjitha koncertet s’mund t’i ndaj, ama Tiranën e kam në zemër sepse këtu kam ardhur që nga viti 2017-2019, çdo javë, nëse jo çdo javë, çdo 2-3 javë dhe kam më shumë eksperiencë në Tiranë sesa në qytete të tjera. Por në Shqipëri, kudo ku jam, kaloj shumë bukur. Kam shumë koncerte, por po e prek njërën që do të jetë madhështore, është në liqenin e Fierzës, në Koman. Aty do të jetë një show spektakolar.

Rudina Magjistari: Në liqen?

Fero: Po, në anije.

Rudina Magjistari: Në çfarë date do të jetë ky koncert?

Fero: Do të jetë në datën 4 Korrik. /tvklan.al





Të ngjashme