Kuvendi nuk humbi kohë dhe pa u mbushur 24 orë nga dorëzimi i mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesën për të zëvendësuar vendet vakante nga lista e kandidateve pasues.

Edhe pse krerët e partive opozitare kanë kërkuar dhe nga këta kandidatë të ndjekin të njëjtin shembull dhe të mos pranojnë të marrin mandatet, KQZ do të ndjek procedurën.

Po kush janë emrat që sipas Kodit Zgjedhor duhet të zëvendësojnë 56 deputetët e opozitës të larguar deri tani nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 2017?

Në Tiranë janë 14 vende që duhet të plotësohen në parlament, 9 nga Partia Demokratike dhe 5 nga LSI. Rudina Hajdari ende nuk e ka lënë mandatin, ndërsa Fatmir Mediu pritet ta vendosë pas kthimit në Shqipëri. Në vendet e Bashës, Berishës, Grida Dumës, Halim Kosovës, Gent Strazimirt, Jorida Tabakut, Albana Vokshit, Dashamir Shehit, apo Orjola Pampurit u vjen radha të ulën Gert Bogdanit, Dorian Telitit, Blendi Sulajt, Fuad Haxhiymerit, Fatbardh Plakut, Besnik Fuçia, Flamur Hoxha, Mirela Dragoni Tabaku, Barbara Doda, Enkeleda Sallaku.

Në Vlorë në radhët e opozitës janë krijuar 4 vakanca, 3 nga PD dhe 1 LSI. Të futet në parlament i vjen radha ish –sekretarit të përgjithshëm të demokratëve, Arbren Ristanit, ish deputetit Dashamir Tahiri dhe Matilda Qurkut. Nga LSI, Sokol Dervishaj zë vendin e Shezai Rokajt.

Në Berat PD ka vetëm një deputet dhe 2 nga gratë në listë e dogjën mundësinë për t’u zgjedhur, pasi ia lënë radhën Astrit Veliajt, i cili zëvendësoi Eduard Halimin e dorëhequr. Emri i 3 ne liste është Lefter Maliqi, një kundërshtar i Lulzim Bashës, pasi deklaroi bashkimin me socialistët që në fushatën e 2017 –ës dhe aktualisht mban detyrën e nëndrejtorit të përgjthshem të burgjeve. Nga LSI ikin Nasip Naço e Silva Caka dhe vijnë Llamriola Misto e Taulant Vrapi.

Në Dibër janë 3 deputet që i takojnë opozitës 2 nga PD dhe një LSI. Ikin Xhemal Gjunkshi e Dhurata Çupi dhe vijnë Denisa Vata dhe Edmond Isaku. Nga LSI iken Perparim Spahiu dhe vjen Aurora Mara.

Në Durrës deputeti i LSI Lefter Koka nuk pranoi të djegë mandatin dhe mandati tjetër ai i Nora Malajt i shkon një tjetër gruaje Edlira Hysenit.

Nga PD ikin Oerd Bylykbashi, Fatbardha Kadiu, Edi Paloka e Florjon Mima dhe vijnë Agron Duka, Vullnet Topalli, Dejana Burgija dhe Enri Çeno.

Në Elbasan nga PD ikin Edmond Spaho, Endri Hasa e Luçiano Boçi dhe vijnë Taulant Zeneli, Arben Elezi dhe Nada Tapija.

Nga LSI ikin Monika Kryemadhi dhe Emond Haxhinasto dhe vijnë Rudina Mita dhe Enver Roshi.

Në Gjirokaster iken Tritan Shehu dhe vend i shkon Mimoza Ccomos. Nga Lsi iken Vangjel Tavo dhe vjen Ediola Braho.

Në Korçë vendet e Valentina Dukës, Ervin Salianjit, Hekuran Hoxhallit dhe Kleviz Balliut i shkojnë Andrea Manos, Ligoraq Karamelos, Fatmir Gudës dhe Soela Myrtollarit.

Nga LSI mandati i Edmond Panaritit i shkon Piro Kapuranit.

Në Kukës, mandatet e Flamur Nokes dhe Isuf Çelës u shkojnë Alban Zenelit dhe Miftar Dautit.

Në Lezhë, ikin Aldo Bumçi, Lindita Metaliaj dhe Andon Frrokaj nga PD dhe vijnë Enkelejda Rica, Preç Zogaj e Martin Biba.

Nga Lsi ikën Viktor Tushaj dhe mandati i shkon Elda Hotit.

Në Fier, Myslim Murrizi do ta mbajë mandatin. Por nga PD ikin Enkelejd Alibeaj, Genc Pollo e Luan Baçi dhe mandatet e tyre u shkojne Luljeta Sejkos, Olsi Ccukajt dhe Dilaver Kamberajt.

Nga LSI ikën Petrit Vasili, pasi Robert Bitri ka kaluar me PS dhe vjen Erisa Xhixho.

Nga Shkodra PD le mandatet e Nard Ndokes, Romeo Gurakuqit, Izmira Ulqinakut, Lorenc Lukës e Bardh Spahise dhe mandatet u shkojne Benardeta Sykut, Gjokë Uldedajt, Anton Kokës dhe Prelë Gjonit.

Nga LSI, mandati i Agron Çelës i shkon Dritan Yllit.

Këto janë kandidatët që, sipas Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet t’u kalojë mandatet pas dorëheqjes në masë nga ana e deputetëve aktuale.

Por drejtues të opozitës kanë deklaruar se edhe ata që presin në listë, do të refuzojnë marrjen e mandateve.

Nëse edhe ata i refuzojnë, KQZ do t’u kërkojë të tjerëve në listat e PD – LSI t’i marrin ato, derisa të ezaurohen e më pas t’u ofrohet kjo mundësi kandidatëve në listat e partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet e 2017-ës.

Tv Klan