Prokuroria e Tiranës jep detaje të reja në lidhje skemën korruptive të punonjësve të Policisë së Rendit të Komisariatit Nr 5 dhe të inspektorëve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor, të Bashkisë së Kamzës, të cilët u arrestuan një ditë më parë për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

Prokuroria për punonjësit e Policisë:

Për të bërë të mundur dokumentim ligjorë të veprimtarisë kriminale të punonjësve të policisë, të cilët kanë lejuar e favorizuar ndërtimet e paligjshme në zonë, kundrejt shpërblimeve në para, është sugjeruar prokurorisë përdorimi i metodave speciale të hetimit, përfshirë vëzhgimin dhe fotografimin.

Ndërkohë njëkohësisht është marrë edhe autorizim, për përgjim të fshehtë fotografik e filmik në vendet publike të punonjësve të policisë dhe personave te tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Për vitin 2015, janë referuar në prokurori 84 raste për ndërtime pa leje.

Nga hetimi ka rezultuar se: Nga materialet e dërguara në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ndërtimet pa leje, ka raste ku për një shtetas janë dërguar 2 herë materialet në Prokurori për ndertim pa leje për të njëjtën banesë. Ky fakt konfirmohet nga deklarimi i shtetasit R. B., i cili është shoqëruar dy herë në polici për ndërtim pa leje dhe në të dy rastet i janë referuar materiali në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 31.03.2015 dhe me datë 02.05.2015.

Nga hetimi ka rezultuar se, ka raste ku materialet janë referuar në Prokurori për ndërtim pa leje dhe më pas ndërtimet kanë vazhduar dhe vazhdojnë përsëri pa u pënguar nga policia. Një rast i tillë konfirmohet nga deklarimi i shtetasit shtetasit L. S., i cili ka bërë ndërtim pa leje me vëllezërit dhe vazhdon ndërtimin pa u penguar nga policia.

Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu se: Ka raste ku punëtorët janë kapur në flagrancë duke bërë ndërtim pa leje, janë shoqëruar në polici dhe nuk janë dërguar materiale në Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Tiranë për ndërtim pa leje. Ky fakt konfirmohet nga deklarimi i shtetasit I. T., i cili ka bërë ndërtim pa leje dhe materialet nuk janë dërguar në prokurori. Ky fakt konfirmohet edhe nga përgjigja e ardhur me shkresën  Nr.451/1 datë 08.02.2016  nga Komisariati i Policisë Nr.5, Kamëz, Tiranë, ku nga 84 rastet e referuar në Prokurori për ndërtime pa leje nuk është evidentuar emri i shtetasit shtetasit I. T..

Nga hetimi ka rezultuar se ka shume raste ku ndërtimet pa leje kanë vazhduar dhe vazhdojnë të ndërtohen në zonën e Paskuqanit dhe ndaj tyre nuk është marrë asnjë veprim për ndërprerjen e paligjshmërisë tyre, pa u shqetësuar nga punonjësit e policisë e struktura të tjera ligjzbatuese.

Konkretisht nga verifikimi dhe deklarimet e marra deri me tani ka rezultuar se janë ndërtuar gjatë vitit 2015 dhe vazhdojnë të ndërtohen edhe gjatë vitit 2016 banesat e shtetasve  E.L, Q. L.,S. GJ, F. M, etj.

Nga hetimi ka rezultuar se lejimi i ndërtimeve pa leje në zonë bëhet me dijeni të punonjësve të policisë zonës, kundrejtë shpërblimit në lekë të këtyre të fundit.

Nga verifikimet e kryera në terren dhe raportit të shërbimit të datës 12.06.2015, datë 16.06.2015, datë 24.06.2015, ka rezultuar se në zonën e Paskuqanit  dhe zonën e Institutit Bujqësor, si dhe Bathore ndërtimet pa leje kanë vazhduar normalisht pa problem, nuk ka asnjë tendencë për të bërë evidentimin, verifikimin apo ndalimin e ndërtimeve pa leje, nga punonjësit e policisë të zonës, e struktura të tjera ligjëzbatuese.

Nga hetimi i deritanishëm, duke verifikuar në terren ndërtimet pa leje, kqyrjen e fotografimeve e filmimive e disa banesave të ndërtuar në vitin 2015, si dhe nga deklarimi i disa shtetasve, ka rezultuar dhe është e provuar fakti se  punonjësit e policisë, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë lejuar dhe favorizuar ndërtimet pa leje, me dyshimin se kanë përfituar edhe vlera monetare në zonat ku ata mbulojnë.

Prokuroria për INUV:

Inspektorët Murat Mena dhe Afrim Deda nuk kanë raportuar 18 raste në zonën e Kamzës dhe Bathores.

Inspektori Arjan Hoxhaj nuk ka raportuar 5 raste në zonën e Frutikulturës dhe Zall Mner.

Inspektorët Petrit Jani dhe Gazmir Marku nuk kanë raportuar 14 raste në Bërxullë.

Inspektori Muhamed Korra nuk ka raportuar 7 raste në Zall Herr.

Sa më sipër janë vetëm rastet e paraportuara. Ndërkohë gjatë hetimit janë konstatuar edhe raste kur janë evidentuar shkeljet në proces – verbalët përkatës, por nuk është marrë asnjë masë prej inspektorëve për të ndaluar vijimin e paligjshmërisë.

6 zyrtarë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Kamzës janë arrestuar dhe 6 zyrtarë të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

1.Afrim Deda, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë K/Inspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz.

2. Muhamed Korra, 55- vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Komunës Zall Herr.

3.Gazmir Marku, 44 -vjeç, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Vorë.

4.Petrit Jani, 34 -vjeç, me detyrë ish Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në komunën Bërxullë.

5.Murat Mena, 59- vjeç, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz.

6.Arjan Hoxhaj, 43- vjeç, me detyrë Inspektor Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz.

Në pranga kanë rënë edhe dy efektivët e policise së komisariatit numër 5, Fatmir Mulaj dhe Qemal Sinaj.

Ata dyshohen se pasi kanë lejuar ndërtimin e objekteve të paligjshme në kundërshtim me detyrën e tyre dhe në këmbim të parave.

Sipas informacioneve nga grupi hetimor, këta punonjës të INUV-së të bashkisë dhe policisë së Rendit merrnin nga 1 mijë deri në 3 mijë euro për favorizim, në çdo objekt të ndërtuar pa leje.

Sipas Prokurorisë nga hetimet paraprake bëhet me dije se në total janë rreth 80 ndërtime apo shtesa ndërtimi. Inspektorët e INUV – it janë ndaluar për shkak se konstatonin ndërtime të paligjshme në ambiente biznesi e familjare për zonat e Kamzës, Paskuqanit, Bërxullës, Zall Herrit dhe nuk i raportonin.

Nga verifikimet në terren të forcave policore, kishte rezultuar që të paktën 39 ndërtime të paligjshme nuk ishin konstatuar dhe as referuar nga ana e inspektorëve të INUV-it.

Hetimet kishin filluar prej një viti dhe në të janë përfshirë prokurorë të task – forcës së prokurorisë së Tiranës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

/tvklan.al