Kristaq Qiqi ka blerë një apartament në vitin 2012 në rrugën e Kavajës me kontratë të rregullt. Vitet e fundit ai është pajisur edhe me certifikatë pronësie.

Në vitin 2021 vihet në dijeni nga përmbaruesi privat Besnik Bajraktari, se duhet të lironte shtëpinë pas një konflikti mes ndërtuesit dhe pronarit të truallit.

Qiqi nuk i vuri shumë rëndësi kësaj kërkese, duke qenë se kishte certifikatë pronësie dhe në vendim nuk përmendej prona konkrete e tij.

“Në vitin 2012, kam 10 vjet që banoj aty. Tani na del ky përmbaruesi Besnik Bajraktari dhe lidhet nëpërmjet Facebook, kontakton me vëllain tim dhe ai më sinjalizon mua. I shkoj në zyrë dhe i them çfarë problemi ke me mua. Tha kam një vendim gjykate të formës së prerë të Apelit që kjo pronë i përket Bashkim Pasmaçiut. Vendimi i gjykatës nuk ka specifikim fare. I thashë në gjyq më jep fletën e gjyqit dhe paraqitem. Iki në Londër, pandemia bllokoi gjithë zonën”.

Por në 10 Gusht 2021, kur Kristaqi ndodhej në Londër kthehet me urgjencë dhe e gjen bravën e apartamentit të tij, të ndryshuar.

“Shoh Besnik Bajraktari, përmbaruesi kishte bllokuar shtëpinë. Kam 9 muaj që po bredh rrugëve me shtëpinë time. Nuk i kam borxh njeriu. Lahem te vllai, te motra, te nipi. Të jesh jabanxhi në shtëpinë tënde”.

Zyra e Përmbarimit nuk tërhiqet e po kështu dhe pretenduesja e apartamentit Ada Pasmaçiu.

Kristaq Qiqi: Keni vepru gabim, sepse Gjykata e Apelit nuk e specifikon ambientin, se ku jetoj unë…as nuk e ka rrëzu. Dakord? Që të thotë, ta ketë të shkruajtur…

Zyra e Përmbaruesit Besnik Bajraktari: Siç ta thashë edhe herën e kaluar,nëse ne e kemi bërë bërë gabim, do mbajmë përgjegjësinë, që na takon.

Kristaq Qiqi: Do mbani përgjegjësi ju?

Zyra e Përmbaruesit Besnik Bajraktari: Po kaq, do na mundësh me gjyqe në rregull! Po vendosi gjykata, ta kthejmë prapë. Cfarë të të them unë tani…? Se nuk di çfarë të të them! Për Zotin nuk di ça me të thënë.

Kristaq Qiqi: Gjykata e Apelit çmon…nuk ka përcaktuar, se si do të ekzekutohet detyrimi nga palët e paditura, pasi nuk ka specifikuar pozicionin e ambienteve, gjendjen faktike të tyre…Mirupafshim! Merre lexoje, lexoje pak ti…!

Zyra e Përmbaruesit Besnik Bajraktari: Ky është problemi, se ti e lexon si do vetë. Unë e lexoj ndryshe…

Kristaq Qiqi: Si e lexon? Po aty thotë nuk mund ta përcaktojë. Një sekondë! Nuk mund ta përcaktojë thotë gjykata! Je në terezi ti!

Në mënyrë absurde Kadastra e Tiranës ka anuluar certifikatën e Kristaqit, pa asnjë lloj baze ligjore dhe për këtë arsye, palët janë në gjyq./tvklan.al