Ish-drejtori i Policisë së Vlorës i kërkon gjykatës shuarjen e afateve të paraburgimit

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela i është drejtuar gjykatës së posaçme me një kërkesë për shuarje të afateve të paraburgimit. Çela thotë se sipas ligjit ai nuk mund të mbahet në burg, pasi nga dita kur është dhënë vendimi nga Gjykata e posaçme e Apelit ka kaluar me shumë se një vit.

Ndër të tjera, ish-drejtori i Policisë së Vlorës thekson se për këtë shkak afatet e paraburgimit e kanë humbur efektin. Gjithashtu kërkesa e tij drejtuar gjykatës është edhe për zbutjen e masës së sigurisë, nga arrest në burg në një masë tjetër. Dosja penale në ngarkim të Jaeld Çelës ndodhet në Gjykatën e Lartë dhe pret për t’u shqyrtuar.

 Ish-kreu i Policisë së Vlorës u vetëdorëzua në polici në Maj të 2020-ës, pas dy vitesh në arrati. Ai është dënuar në mungesë nga gjykata e posaçme e shkallës së parë me 3 vite e 4 muaj burg për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Ai është dënuar së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Çela akuzohet nga SPAK se ka favorizuar grupin e Habilajve në trafikimin e lëndëve nakotike në kohën kur ushtronte detyrën si drejtor i Policisë së Vlorës. Prokuroria thekson se në një episod të vitit 2016, Çela nuk ka ushtuar detyrën dhe nuk ka parandaluar trafikimin e lëndëve narkotike.

Së bashku me Çelën janë marrë të pandehur edhe dy zyrtarë të tjerë të Policisë së Vlorës Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, por çështja e tyre është ndarë pasi janë ende në kërkim.

Klan News