Para mbështetësve të tij ai pohoi se ka qenë viktimë e persekutimit politik pasi u largua nga detyra në 2023

Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro deklaron se ka qenë viktimë e persekutimit politik që nga largimi nga detyra, më shumë se një vit më parë.

Ai u tha dhjetëra mijëra mbështetësve në São Paulo se akuzat për grusht shteti kundër tij ishin një “gënjeshtër”. Bolsonaro bëri thirrje për një amnisti për qindra mbështetës të tij të dënuar për sulme në ndërtesa publike.

Policia po heton nëse ish-presidenti 68-vjeçar nxiti një grusht shteti të dështuar pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022. Bolsonaro hodhi poshtë akuzat kundër tij si të motivuara politikisht. Ai tha se ishte koha për të harruar të kaluarën dhe për ta lënë Brazilin të ecë përpara dhe e përdori fjalimin e tij për të folur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2026.

Bolsonaro e ka ende të ndaluar të kandidojë për tetë vjet për postin e presidentit. Ai akuzohet për minimin e sistemit zgjedhor në Brazil pas pretendimit se zgjedhjet e fundit ishin të falsifikuara, pavarësisht se nuk ka prova për mashtrime elektorale.

Në fillim të këtij muaji, ish-presidenti duhej të dorëzonte pasaportën e tij pasi po përballet me një hetim mbi akuzat se ai u përpoq të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të tetorit 2022 dhe të bënte presion ndaj shefave ushtarakë për t’iu bashkuar një përpjekjeje për grusht shteti.

Pasi Bolsonaro humbi zgjedhjet përballë kandidatit të krahut të majtë Luiz Inácio Lula da Silva, mijëra mbështetës të tij, sulmuan ndërtesat qeveritare në kryeqytetin Brasília, duke përfshirë pallatin presidencial, Gjykatën e Lartë dhe Kongresin duke plaçkitur dhe vandalizuar. Tre nga aleatët e Bolsonaro-s përfshirë edhe kreun e partisë së tij politike janë arrestuar.

Klan News