
“Jam e verbër, kërkoj punë…” Pas emisionit gruaja i drejtohet Gjergj Lucës
Mbrëmë “Stop” transmetoi disa raste të abuzimit me Kempet apo statusin e invaliditetit. Një rast flagrant ishte në fshatin Shirgjan të Elbasanit për shtetasin Jorgo (Zani) Shehu (Çehu).
Ai prej vitesh merrte Kemp për verbërinë e po kështu bashkëshortja merr kujdestarinë për të. Fotot dhe videot, që ne transmetuam, treguan, se Jorgo, apo Zani i kryen lëvizjet e punët pa asnjë vështirësi. “Stop” shkoi në shtëpinë e pacientit dhe e gjetëm duke larë oborrin.
Duke i hyrë më thellë kësaj problematike, Shërbimi Social Shtetëror ka një fond prej 18 miliardë Lekësh për 17 537 persona me aftësi të kufizuar, ku hyjnë ata me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike.
Ndërsa invalidë pune, pagesa e të cilëve mbulohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, janë në rang vendi 66 920 persona dhe fondi i akorduar është 6.3 miliardë lekë për vitin 2023.
Janë pothuajse 100 mijë personat, që përfitojnë pagesa invaliditeti e megjithatë në këtë material ne sjellim persona në nevojë, që nuk përfitojnë asgjë dhe të tjerë, që marrin pagesë invaliditeti e punojnë si muratorë, apo në majë të zetorit.
Pas transmetimit të mbrëmshëm, Adevija, një grua që nuk shikon, por punon 5 orë në ditë, ka shkuar në zyrën e biznesmenit Gjergj Luca, për t’i kërkuar një punë të dytë dhe e ka fituar vendin e punës për ditën e shtunë. Luca i bën thirrje të gjithëve, të punojnë dhe Kempi të mos shkojë për persona të aftë për punë.
“Adevija do fillojë punë tek ne. Unë u sensibilizova nga emisioni në Klan, nga emisioni i Saimirit dhe i Gentit që janë djem kaq të talentuar që ngrejnë edhe një problem shumë të madh për vendin tonë, një ngërç të madh, një krim që i bëhet vendit tonë dhe njerëzve që kanë dëshirë për të punuar për të ecur përpara. Dua t’i bëj thirrje atyre njerëzve, stop më me rrena, ato lekë janë lekë që merrni nëpër Kempe, nëpër asistenca sociale që duhet të shkojnë për prindërit që punojnë, që sakrifikojnë për fëmijët e tyre, për prindërit që duan t’i edukojnë fëmijët me punë. Është turp miq, është krim që ju merrni lekët si parazitë dhe si mashtruesa”, tha Luca./tvklan.al