“Jam një grua e vetme që nuk gjen dot punë, me dy fëmijë të mitur për të rritur, të cilëve duhet t’u shpjegoj çdo ditë përse vdiq babai i tyre. Nuk kam më as lot për të qarë, por më duhet të bëj përpara për ta. Por me dinjitet”.

Këto janë padyshim fjalë që flasin për një dhimbje të madhe, por janë edhe një apel dinjitoz nga ana e Mariana Prekës, 33-vjeçares shqiptare, e cila mbeti e ve në moshë fare të re. Ajo është bashkëshortja e Edmond Prekës, muratorit 36-vjeçar shqiptar, i cili vdiq për shkak të një tragjedie të papritur, të tmerrshme, dramatike e të vështirë për ta përtypur.

Më 8 Mars të këtij viti, Preka, i cili punonte në një prej kantiereve më të mëdha në Europë dhe ishte njeri tejet i respektuar, si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve të punës, u sulmua nga tre qen, teksa kthehej në këmbë gjatë natës, në një rrugë fshati në Paganica, në Aquila të Italisë.

Sipas hetimeve të deritanishme të prokurorisë italiane, 36-vjeçari u ndoq dhe u sulmua nga qentë. Ai tentoi të mbrohej, por ata e vunë për poshtë dhe gjatë kësaj kohe, i ndjeri ra duke përplasur kokën, përfundoi në kanal dhe u mbyt.

Për vdekjen e tij janë marrë të pandehur dy persona, Gianluca De Paulis dhe Sara Galeassi, 42 dhe 31 vjeçe, pronarë të qenve dhe fqinj të çiftit. Për hetuesit, dyshja është përgjegjëse, pasi për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë shkaktuan vdekjen e Edmond Prekës.

Tashmë në shtëpinë e familjes Preka jeton vetëm Mariana dhe fëmijët e saj, djali 8 vjeç dhe vajza 5-vjeçare.

Marina është e rrethuar nga kujtimet, nga fotografitë ku janë të gjithë bashkë, të lumtur e të dashuruar, por jo vetëm. Ajo është e rrethuar nga vizatimet e shumta të fëmijëve të vegjël, që shpresojnë se babai i tyre do të mund t’i shohë.

Nga ai 8 Mars i tmerrshëm kanë kaluar 7 muaj dhe e reja shqiptare ka vendosur për herë të parë që të rrëfejë dëshminë e saj për median italiane

Abruzzoweb

. Në një rrëfim prekës, ajo tregon jo vetëm ngjarjen dramatike, por mbi të gjitha kërkon me dinjitet mundësinë për të punuar, në mënyrë që të rrisë dy fëmijët e saj të shtrenjtë.

“Më duhet të them se pa afeksionin e madh të kaq shumë njerëzve nuk do t’ia kishim dalë. Fëmijët dinin gjithçka që prej fillimit, janë shumë të zgjuar. Djali e lexoi nëpër gazeta, është folur edhe në shkollë. Më kërkojnë me insistim përse, qajnë. E vogla dëshpërohet dhe unë nuk di çfarë t’i përgjigjem. Zgjohem ende në mes të natës duke menduar se është thjeshtë një mankth, pastaj shoh vendin e tij bosh, rrobat ende në dollap. I marr dhe kërkoj aromën e tij, diçka që të më bëjë që ta ndjej më afër”.

Një komunitet i tërë po përpiqet të ndihmojë këtë familjë të dëshpëruar, por Mariana nuk do të jetojë mbi shpatullat e të tjerëve.

“Do doja një punë, të thjeshtë, të mjaftueshme që të më japë mundësinë të rris dhe të çoj në shkollë fëmijët e mi të vegjël”.

Pavarësisht se në kërkim, deri më tani e ka pasur të pamundur të gjejë një punë.

“Ndonjëherë më duket sikur po kërkoj hënën”,

thotë ajo me hidhërim

. “Di të bëj shumë gjëra, kam punuar në bar, në restorante, kam pastruar nëpër shtëpi e hotele, por sot më duket sikur nuk ka vend të lirë pune për mua”.

Nga ana tjetër, në Itali nuk ka askënd. Prindërit nuk i ka, babain nuk e ka njohur kurrë, pasi vdiq kur Mariana nuk kishte mbushur ende 1 vjeç. Ndërsa 11 vite më parë, u zhduk edhe nëna e saj.

Ajo ka 5 motra dhe 2 vëllezër, por të gjithë jetojnë në Shqipëri dhe mbi të gjitha nuk mund ta ndihmojnë në vështirësitë që has në jetën e përditshme.

“Duhemi shumë, i ndjej pranë në zemrën time, por nuk kam menduar që të kthehem në atdhe, sepse unë dhe im shoq kishim vendosur që do të qëndronin këtu në Aquila. Dashuria për vendin tonë të origjinës nuk është larguar kurrë, por nuk jemi arratisur nga Shqipëria, shpresonim që do të kishim jetë më të mirë në këtë qytet”.

Mariana tregon se e kishte njohur Edmondin kur ishin fare të rinj.

“Unë isha 18 vjeçe ndërsa ai 20. Ishte i bukur si princ, i mirë dhe me parime të shëndosha. Erdhi dhe i kërkoi dorën nënës time, ashtu siç ishte tradita dhe vijon të jetë ende në Shqipëri. Erdhëm në Itali sapo u martuam dhe shkuam në Toskanë, në Massa Carrara, ku Edmondi nisi të punojë në një ndërmarrje, falë disa familjarëve që ishin stabilizuar atje prej shumë kohësh”.

Ndërmarrja falimendoi dhe në këtë pikë Edmondi provoi që të gjente punë, gjithnjë në ndërtim, në kantieret në Aquila.

“Ishte i zoti, i ndershëm dhe shumë i shkathët, gjeti menjëherë diçka. Na ndihmoi motra e tij, që ishte martuar me një italian dhe jetonte në Aquila. Unë në atë kohë punoja, pastroja. Më pas erdhën fëmijët dhe rashë dakord me zgjedhjen e tim shoqi për të qëndruar në shtëpi, ashtu siç ai donte, që të kujdesesha për familjen”.

“Nuk ishin vite të lehta, por ishim të dy dhe gjithçka dukej e mundur. Sot zgjohem dhe shkoj përpara vetëm për hir të fëmijëve. Pyetja është gjithnjë e njëjta: Përse? Por askush nuk më jep dot përgjigje. Sigurisht rreth e rrotull jeta ka rifilluar dhe unë përpiqem të shkoj përpara, por shumë herë del në pah boshllëku që kam brenda”.

“Edmondi ishte shumë i mirë dhe pati një fund të tmerrshëm. Një bashkëshort ekzemplar, një baba i jashtëzakonshëm. E kalonte të gjithë kohën e lirë me ne, i nxirrte fëmijët gjatë gjithë kohës, i privonte vetes gjithçka për të mirën tonë. E njihja shumë mirë dhe me siguri do ketë patur shumë frikë nga qentë, aq shumë sa nuk ka ditur sesi të reagojë kur është sulmuar”,

shton Mariana teksa vështron fëmijët e saj.

“Grabiele shkruan letra për babain e tij, për t’ia çuar kur të shkojmë në Shqipëri. Sot nuk kemi një varr ku të qajmë, por di që kam bërë zgjedhjen e duhur. Edmondi prehet në tokën që e donte aq shumë, pranë babait të tij dhe prindërve të mi”.

Më 31 Janar do të nisë procesi dhe Mariana shpreson të paktën të këtë drejtësi.

“Nuk dua hakmarrje, por nuk është e drejtë. Nga ata njerëz nuk kam pasur as edhe një fjalë ngushëlluese, apo një shenjë keqardhjeje. Përveç dëmit, pati edhe përqeshje, sepse ditët pas tragjedisë kemi dëgjuar mjaft thashetheme që më kanë lënduar shumë”.

“Edmondi ishte një njeri vërtetë special, kështu e kujtojnë të gjithë ata që e kanë njohur. Respektonte miqtë, prindërit, ndërsa mua më bënte të ndihesha si mbretëreshë. Kjo dhimbje nuk do të kalojë kurrë, por të shkuarit përpara, të rris fëmijët e mi do të jetë si të mbash gjallë kujtimin e tij. Jam e sigurt që dëshiron të na shohë të qetë”,

e mbyll rrëfimin e saj Mariana Preka.

//tvklan.al