Dy telefonuese të njëpasnjëshme në “Aldo Morning Show” në Tv Klan janë gjyshe mbesash, të cilat janë kujdesur për to teksa fëmijët e tyre ndiqnin punën. Telefonuesja e parë, Resi, ka qëndruar edhe në Angli për t’u kujdesur për mbesën sepse vajza e saj nuk mundej ta dërgonte në kopsht për shkak se është i kushtueshëm. Resi përshkruan se si ka qenë kjo periudhë dhe si ka ndikuar tek fëmija, në kuadër të temës së ditës, cili është opsioni më i mirë për kujdesin ndaj fëmijëve, institucionet, gjyshërit apo dadot?

Resi: Sa për temën, unë mbaj mbesën, vajzën e djalit.

Aldo: Po pse, s’ka kopsht Anglia?

Resi: Ka, ajo që 1 vjeçe e gjysmë ka shkuar në kopsht 2 herë në javë, pjesën tjetër e mbaja unë sepse mamaja i punonte në spital, i punon akoma dhe i kam mësuar shqip shumë bukur. Pastaj vazhdoi gjithë ditët e javës në kopsht, tani më flet anglisht, shqip të dyja. Është në parashkollor, ka shkuar sivjet, por gjithë jetën ka shkuar në kopsht.

Aldo: Nuk kishit mundësi për ta çuar përditë në kopsht apo?

Resi: Jo, nuk kishim mundësi sepse aq ishin orët dhe ishte shumë i shtrenjtë. Sa isha unë, e çonim vetëm 2 herë në javë me pagesë që të ambientohej me gjuhën, shoqërinë. Atje kishin një edukatore shqiptare shumë të mirë dhe ajo ia përkthente shqip dhe ajo vetëm asaj i kërkonte diçka në shqip.

Telefonuesja tjetër, Desdemona, thotë se është kujdesur për mbesën e saj ndërsa vajza me bashkëshortin emigruan në Angli dhe ia lanë të voglën nën kujdes. Desdemona thotë se çerdhja ka qenë një ndikues shumë pozitiv te mbesa pasi kujdesi  i gjyshërve nuk mjafton.

Desdemona: Komenti im është që gjyshet duhet t’i japin një ndihmë fëmijës së tyre ose nipit dhe mbesës, ndërsa për t’i rritur mendoj që është pak e vështirë. Jo për lodhjen, por për të gjitha arsyet sepse edhe mosha, edukimi, mundësitë nuk janë njësoj si në kopsht, si në shtëpi, pavarësisht se njeriun e detyron halli që ta mbajë  në shtëpi, ka një arsye që e mban. Pa arsye s’e mban, do jetë ose edukatorja që s’i përgjigjet, ose ekonomia që nuk ka mundësi ta çojë.

Aldo: Varet.

Desdemona: Varet. Edhe unë vajzën  në Angli e kam dhe i mbajta vajzën në Shqipëri. E çova në çerdhe, më kënaqi shumë në çerdhe  sepse fliste, luante, argëtohej dhe kalonte bukur.

Megi Latifi: Ia mbajte pa prindër këtu?

Desdemona: Pa prindër. Prindërit i kishte në Angli dhe unë e mbajta në Shqipëri.

Aldo: U ambientua domethënë, s’kishte probleme?

Desdemona: Jo, s’kishte probleme sepse unë e kam ndjekur vajzën që të vogël, të porsalindur, shkoja gjithnjë me të, kam pasur shumë kontakt me të dhe u ambientua, është edhe fëmijë që ambientohet.

Aldo: Pra, fëmijët vendosën të ta linin ty vajzën e tyre apo jo?

Desdemona: Po, për një periudhë kohe sepse kishte edhe ajo një arsye që duhet të rrinte sepse kopshti, siç tha edhe zonja para meje, që janë të shtrenjta në Angli.

Aldo: Po me dado apo s’ka besim?

Desdemona: Me dado vajza ime nuk ka mundësi ta çojë. Edhe besimin s’e ka, edhe mundësinë, por besimi është i pari fare./tvklan.al