Një nënë 36-vjeçare, e mbetur e ve dhe me një djalë të vogël, në një shtëpi në Ballsh që frikësohen çdo ditë se nga momenti në moment do t’u bjerë mbi kokë. Kjo është historia e Silvanës dhe Deonit që rrëfehet përmes dritares së re, “E Diela Ndryshe” të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Ndërsa nisen drejt Fierit për të shkuar në ambientin e punës së Silvanës që çdo ditë detyrohet të shohë vendin ku i shoqi ka humbur jetën, Ardit Gjebrea dhe Arbër Hajdari e njoftojnë se do të bëjnë një ndalesë. Ata ndalojnë përpara derës, hyjnë dhe në banesë nuk gjendet njeri. Në shtëpi shihen fotot familjare të Silvanës dhe Deonit që më në fund kuptojnë se kanë një shtëpi të re, për të cilën nuk mund t’u besojnë syve.
Rasti i tyre, siç bën me dije Arbër Hajdari, është identifikuar nga “Fundjavë Ndryshe” një javë më parë dhe puna nuk ka reshtur për t’u mundësuar sa më shpejt një jetë të re.
Silvana: Faleminderi shumë… nuk e di…jam në ëndërr? Nuk e besoj që…nuk e besoj që është shtëpia jonë kjo?
Arbër Hajdari: Në fakt, po. Kjo është shtëpia jote!
Silvana: Shumë faleminderit Arbër! Nuk e prisja brenda një jave të realizohej kjo ëndërr! Të falënderoj shumë! Shumë, shumë, shumë!
Arbër Hajdari: Silvana, i gjithë ekipi ynë ka qenë i angazhuar që kjo të realizohet në kohë rekord!
Të katërt ulen në dhomën e ndenjes ku në tavolinë janë shtruar disa pije e qerasje të vogla. Arbër Hajdari i jep edhe një tjetër lajm Silvanës.
“Për njëfarë kohe do t’i suportojmë edhe në anën e një pensioni”, i thotë ai duke dorëzuar çelësat e shtëpisë. Silvana është mëse gati për një jetë të re duke e lënë dhimbjen në atë shtëpi të vjetër.
Arbër Hajdari: Ekipi jonë do të jetë gati nëse dëshiron që të shkosh sot atje ku ishe që të marrësh ndonjë gjë…
Ardit Gjebrea: Do të kthehesh prapë atje?
Silvana: Jo.
Ardit Gjebrea: Nuk do fare të shkosh aty.
Silvana: Nuk dua fare të shkoj atje!
Arbër Hajdari: Më vjen mirë që tani çdo dhimbje që ke kaluar, çdo gjë ta lësh atje dhe të fillosh një jetë të re. Djalin e ke si drita dhe ne do të të asistojmë edhe për regjistrimin në shkollë që të duhet dhe për çdo gjë që do të kesh nevojë këtu që tani t’ia nisësh një jete të re.
Duke lënë në shtëpinë e re Deonin dhe Silvanën me sytë që u ndrisin nga lumturia, Ardit Gjebrea dhe Arbër Hajdari dalin me zemrën plot dhe gati për një tjetër mision në javën e ardhshme./tvklan.al