“Jam simpatizant i PS, i mbështes këta, por tani jam shumë i zhgënjyer”

“Jam simpatizant i PS, i mbështes këta, por tani jam shumë i zhgënjyer”

21:12 20/05/2020

Bashkia falsifikon dokumentin që të shembë pallatin e dëmtuar nga tërmeti

Vora ishte një ndër zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në vend. Shkëlqim Cela, banor i pallatit 8/1 në lagjen “Demokracia” tregon se pallati i tij pësoi dëmtime të lehta, ndryshe nga ndërtesat rrethuese. Por ai thotë se bashkia e Vorës ka nxjerrë vendim për prishje të pallatit, të cilin instituti dhe ekspertët e vlerësuan me dëmtime të lehta. Bashkia Vorë madje u jep bonus qiraje disa banorëve të pallatit në fjalë, edhe pse këta të fundit banojnë aty.

Shkëlqim Cela: Bashkia e Vorës po na krijon shqetësime lidhur me pronën 8/1 në Vorë. Pas tërmetit të datës 26 Nëntor kanë filluar manipulimet lidhur me këtë pallat. Ata kërkojnë të prishin këtë pallat sikur është i demontuar nga tërmeti i datës 26 sepse duan të ndërtojnë këtu, kanë përgatitur planin pa u konsultuar me asnjë banor të pallatit tonë. Për këtë i jam drejtuar kryetares së Bashkisë, zyrës së Ndërtimit në Vorë, ministrit të Rindërtimit, Kryeministrit Rama, prefektes së Tiranës dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje deri më tani. Bashkia e Vorës që në momentin e aplikimit, për të trajtuar nga fatkeqësitë natyrore ka falsifikuar, në vend që t’i japë formularin e aplikimit për godinën 8/1, e ka futur për godinën 8. Për të cilën disa banorë nga ky akt, i drejtonin në zyrën tjetër për të marrë qiranë. Banorët që jetojnë në pallatin 8/1 marrin qira mujore nga Bashkia e Vorës, sikur janë banorë të pallatit 8 dhe banojnë në shtëpitë e tyre. Këtë shqetësim unë e kam ngritur. Deri tani nuk ka asnjë reagim nga bashkia e Vorës dhe unë jam shumë i zhgënjyer. Unë nuk kam votuar për Laureta Omarin, e cila më kthen letrën në mënyrë abuzive. I kërkoj të gjithë instancave dhe Partisë Socialiste të Vorës që atë ta vënë para përgjegjësisë, sepse është kryetare e bashkisë për qytetarët, jo për t’u shërbyer atyre që e kanë vënë aty. Unë nuk kam votuar për zonjën Laureta Omari, unë kam votuar për zotin Agim Kajmaku, kur u bënë zgjedhjet. Jam simpatizant i PS, i mbështes këta, por tani jam shumë i zhgënjyer.

Si të mos mjaftonin të gjitha këto, Bashkia rezulton të ketë falsifikuar dokumentet e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për të arritur në qëllimin e shembjes së pallatit.

“Stop” ka siguruar dokumentin e falsifikuar nga Bashkia Vorë, e cila në datën 21 nxori vendimin, por u mblodh në datën 24, pra pas 3 ditësh. “Stop” tregon se si është manipuluar situata, vetëm se Bashkia kërkon të shembë këtë pallat për interesa okulte.

Por çfarë mekanizmi ka përdorur Bashkia e Vorës për të prishur pallatin 8/1, i cili është konstatuar me dëmtime të lehta. Bashkia e Vorës ka përdorur pallatin ngjitur me të, i cili mban numrin 8 dhe gazetari ka një provë konkrete të zotit Shkëlqim Cela, i cili ka hyrë në programin e rindërtimit në qytetin e Vorës dhe çuditërisht në faqen e dytë ashtu siç duket, zoti Cela na figuron se është banor në pallatin numër 8 dhe jo në 8/1.

Shkëlqim Cela: Këshilli Bashkiak paska marrë një vendim më 21 Prill 2020, por del që mbledhjen e kanë bërë online me datën 24, pra vendimin e kane marrë 3 ditë para se të bëjnë mbledhjen. Dhe këtë veprim nuk e kanë hedhur në sistem, por pasi kanë vajtur në prefekturë, dhe e ka miratuar edhe prefektja e Tiranës qorrazi këtë vendim. Edhe nënprefekti më tha që u ka shpëtuar ky fakt dhe më tha se do të merren me këtë çështje. Kam vënë të gjitha instancat në dijeni sepse falsifikimet e Bashkisë së Vorës lidhur me këtë pronë po vazhdojnë herë pas here. /tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo