Çmimin e madh të Portugalisë e fitoi piloti francez, Fabio Quantararo

Fabio Quartararo është fituesi i Çmimit të Madh të Portugalisë në MotoGP. Piloti i Yamahas zyrtare dominoi në pistën e Portimao, duke arritur që të mposht rivalët dhe të pres i pari vijën e finishit.

Quantararo u nis nga vendi i parë dhe tregoi superioritet në pistë, teksa nuk lëshoi për asnjë moment pe.

Në vendin e dytë u rendit italiani Francesco Bagnaia me Ducati, që e nisi garën nga vendi i 11-të, duke bërë një garë të mirë dhe përfituar nga rrëzimet e rivalëve, si Johann Zarco dhe Alex Rins, që e mbyllën garën para kohe.

Në podium u ngjit edhe spanjolli Joan Mir me Suzuki, që bëri një garë konstante. Në debutimin e tij sezonal me Honda, spanjolli Marc Marquez u klasifikua në vendin e shtatë.

Tjetër garë për t’u harruar ajo e Valentino Rossi me Yamaha Petronas, që u rrëzua në mesin e garës. Falë këtij suksesi, piloti francez merr kreun e renditjes, ndërkohë që në fund nuk mungoi festa me stilin e Cristiano Ronaldos.

Klan News