Enver Jamaku, i penduari i drejtësisë, që çoi në zbulimin e 19 bazave të armatimit, dhe solli arrestimin e 8 personave të tjerë, ka rrëfyer detaje të tjera për hetuesit. Gjatë marrjes në pyetje Jamaku është shprehur se do të merrte një shumë prej 300 mijë eurosh për të vrarë Domart Konajrin, të shpallurin në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe ajo franceze.

Pagesa për eliminimin e Konjari, atij do t’i jepej nga dy shtetasit Blendi Deda dhe Paris Prenga. Sipas Jamakut në Tetor të 2019, dy të dyshuarit se bashku me Flor Abazin, i kanë dhënë një automjet për të ndjekur Konjarin dhe dy mina me telekomandë. Ai ka rrëfyer se porositësit, i kanë treguar foto të viktimës, llojin e automjetit që përdorte dhe të gjitha vendet që frekuentonte.

Bashkëpunëtori i drejtësisë u ka thënë oficerëve të policisë se ka marrë vetëm 3 mije euro pasi dështoi të vriste Domart Konjarin, si dhe kunatin e tij Artion Bylykun. Sipas Jamakut në automjetin tip Benz të Konjarit ka vënë së bashku me kushëririn e tij Ermond Jamaku dy mina me telekomandë por vetëm njëra prej tyre ka shpërthyer.

Si pasojë e shpërthimit në rrugën Siri Kodra, mbeti i plagosur lehtë kunati i Konjarit, Artion Bylyku.

Burime për Klan News thonë se Jamaku ka treguar edhe vendin ku Konjari rrinte dhe është bërë një operacion për kapjen e tij, por forcat operacionale nuk e kanë gjetur.

Enver Jamaku së bashku me kushëririn e tij Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukalin u arrestuan për atentatin ndaj Gjon Menës në Kamëz, ngjarje e ndodhur më 9 Shkurt. Pas ndalimit Jamaku zbërtheu gjithë grupin prej të paktën 12 personash, ku 9 prej tyre janë arrestuar ndërsa 3 të tjerë ndodhen në kërkim.

Klan News