Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten problem shqetësues në vendin tonë, sidomos ato me pasoja të rënda.

Shpesh kemi dëgjuar institucione dhe zyrtarë që bëjnë bilance krahasimi me vitet e mëparshme duke thënë që aksidentet janë ulur.

Por inxhinieri dhe eksperti i sigurisë rrugore, Mamir Hodo, i ftuar në emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ka zbuluar një detaj që tregon të kundërtën.

Ai thotë se shifra e primit të pagesës së sigurimit për të dëmshpërblyer të dëmtuarit në aksidente nuk ka rënë. Ky është një tregues, thotë ai, që vërteton se aksidentet nuk janë ulur në nivelet e pretenduara.

Mamir Hodo: Kur bëhen aksidentet rrugore për 1 vit, kjo është në pagesat që u bëhen drejtuesve të mjeteve të gjymtuar, të vdekur etj, domethënë familjeve të tyre, kosto financiare varion 1.5-2% e Produktit të Përgjithshëm Bruto. Le të marrin të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nga INSTAT. Unë ju them që nëse do ishte ulur numri i aksidenteve rrugore, pse nuk ka rënë primi i pagesës së sigurimit? Një nga indikatorët që tregon se është rritur siguria rrugore dhe ka rënë numri i aksidenteve është rënia e kësaj fashe. Kjo nuk ka rënë.

Spartak Koka: Po e krahasojnë me veten në vitin 2009-2010 dhe thonë se jemi më mirë se sa 13 vite apo 14 vite më përpara.

Mamir Hodo: Shiko, më mirë jemi. Nuk është se jemi më keq.

Spartak Koka: Por ne duhet të krahasohemi me Europën apo jo?

Mamir Hodo: Absolutisht.

Spartak Koka: Ju thatë Norvergjinë e kapin në vitin 2049. Na duhen dhe 28 vjet.

Mamir Hodo: Të gjithë ata drejtues mjetesh të cilët kanë bërë aksidente me pasoja fatale, ata duhet të futen në një fokus të mirë. Që do të thotë do merren të dhënat për emrat e këtyre, do shkojnë ku janë patentuar këta kandidatë, te cila autoshkollë janë patentuar. Pastaj kjo do të bëhet subjekt dhe objekt i kontrollit nga ana e shërbimit të çështjeve të brendshme dhe ankesave pranë Drejtorisë së Përgjithshme që nuk e di e kanë këtë strukturë apo jo, që nëse nuk e kanë duhet ta çojnë, që duhet të hetojnë autoshkollat vetë.  /tvklan.al