Prokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva do të dëshmojë të martën lidhur me akuzat për përfshirjen në rastin “Zhvatja”. Mediat maqedonase shkruajnë se ajo pritet të zyrtarizojë dorëheqjen dhe ka pranuar të dëshmojë para prokurorëve kundër krimit të organizuar në Shkup për aferën që ka tronditur politikën dhe opinionin publik vendas.

Në fillim të këtij muaji, gazeta italiane “La Verita” publikoi disa video dhe audiopërgjime ku dëgjohej zëri i Janevës teksa komunikonte në telefon me personat që shfaqeshin në këtë video të rastit “Zhvatja”.

Xhirimet e publikuara po nga e përditshmja italiane “La Verita” janë kryer fshehurazi dhe tregojnë biznesmenin Orçe Kamçev, i cili u jep 1.5 milionë euro showmenit Boki – 13, pseudonim i Bojan Jovanovskit dhe biznesmenit tjetër Zoran Milevski.

Dy personat kishin dalë garant se do të ndërhynin tek prokurorja speciale Janeva, për të mbyllur dosjen për biznesmenin Kamçev, i cili është nën hetim për pastrim parash.

Janeva ka deklaruar se nuk është e përfshirë në këtë rast dhe se përgjimet janë keqinterpretuar. Janeva ka pasur mbështetjen për zgjedhjen në këtë post nga kryeministri Zoran Zaev dhe është shndërruar në mollë sherri edhe në negociatat me opozitën për ligjin e ri për prokurorinë speciale. Edhe presidenti Pendarovski akuzoi institucionet për mosreagim ndaj këtij rasti, që sipas tij rrezikon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Tv Klan