Jani Alia dhe Renato Milloshi, të dyshuar njëri si autor dhe tjetri si bashkëpunëtor, në vrasjen e Elton Çiçës, nuk rezultojnë të kenë dalë jashtë vendit, të paktën ligjërisht.

Nga kontrollit në sistemin TIMS, 36 – vjeçari Milloshi dhe 39 – vjeçari Alia, nuk figurojnë që të kenë kaluar në pikat kufitare.

Policia përjashton edhe mundësinë e kalimit të Jani Aliajt në mënyrë ilegale në Greqi, për shkak se rezulton i dënuar për vrasje. Ai ka kryer një pjesë të dënimit dhe është arratisur më pas.

Të dhënat e siguruara nga policia në rrugë operative, flasin se Aliaj dhe Renato Milloshi, që njihej edhe me emrin Merkam Milloshi, mund jenë strehuar në zonat e Progonatit dhe Lekdushit, në Tepelenë.

Nisur nga këto të dhëna, një njësi e Repartit RENEA, e cila është e specializuar në identifikimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të kërkuarve për vepra të rënda kriminale, po kryen kërkime në këtë zonë dhe në disa fshatra kufitare të Vlorës.

Terreni malor dhe mungesa e rrugëve në disa prej fshatrave ka vështirësuar kërkimet.

Jani Alia dhe Renato Milloshi u shpallën në kërkim policor menjëherë pas ngjarjes, për t’u marrë në pyetje, por policia nuk mund t’i gjente. Dy ditë më parë, ata u shpallën në kërkim me vendim të Gjykatës së Tiranës, pas provave të paraqitura nga grupi hetimor se, Aliaj ishte ekzekutori i Elton Çiçës dhe Milloshi e kishte ndihmuar që ta transportonte me nje mjet tip Ford, të cilin e kishte blerë dy ditë para krimit.

Tv Klan