Japonia do të mbështesë Bashkinë e Tiranës për të përmirësuar shërbimin e pastrimit të parqeve të qytetit. Përmes nënshkrimit të një marrëveshje mes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe Ambasadës së Japonisë në Tiranë, projekti mundëson shtimin e mjeteve dhe pajisjeve për pastrimin e Parkut të Liqenit Artificial dhe parqeve të tjera.

Sipas nj njoftimi të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi qeverinë japoneze për këtë mbështetje. “Më vjen mirë që nga kjo marrëveshje marrim një donacion shumë të vyer për Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, si ndihmë për shtimin e pajisjeve, koshat dhe një sistem të modernizuar të pastrimit për parqet e Tiranës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ky projekt bashkëpunimi është njëkohësisht edhe një vlerësim që i bëhet punës së APR-së, e cila jo vetëm e ka gjallëruar Parkun e Liqenit Artificial, por edhe punon çdo ditë që qytetarët të gjejnë një mjedis të pastër dhe të rregullt. “Vlerësimi më i mirë për parqet e Tiranës nuk vjen nga unë si kryetar bashkie, por nga ata që janë të huaj, që e vënë re cilat janë agjencitë e bashkisë që performojnë më mirë dhe duan të bashkëpunojnë me më të mirët. APR është një histori suksesi e Bashkisë së Tiranës dhe më vjen mirë që falë këtij donacioni do ta ketë pak më të lehtë punën”, shtoi Veliaj.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito, vlerësoi punën që po bën Bashkia e Tiranës për krijimin e Pyllit orbital, ndërsa u shpreh se projekti mundëson përmirësimin e mjedisit në qytet. “Është një kënaqësi e madhe që firmos këtë projekt, i cili ka impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mjedisit në Tiranë. Me këtë rast dua të shpreh vlerësimin tim për kryetarin e Bashkisë dhe punën e tij të palodhur për krijimin e ‘Pyllit Orbital’, duke planifikuar mbjelljen e miliona pemëve të reja në Tiranë, e cila konsiderohet realisht si trashëgimia më e mirë për gjeneratën tjetër”, tha ambasadori Ito.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gjithashtu faktin se donacioni i parë i Ambasadës së Japonisë në nivel lokal i është besuar Bashkisë Tiranë, duke mbjellë fillimisht qershi japoneze në Parkun e Tiranës dhe duke kontribuuar tashmë edhe me mjete pastrimi. “Më vjen mirë që si ent lokal, jemi partnerët e parë të ambasadës së Japonisë në Tiranë dhe shpresoj që kjo dallëndyshe e parë do t’i japë mundësinë disa bashkëpunimeve të tjera”, tha Veliaj.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Japoninë do të vazhdojë edhe më tej për të shfrytëzuar përvojën e saj për zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin./tvklan.al