Stërvitje e lehtë mes palestrës dhe fushës për ata që ishin titullarë ndaj Italisë dhe ngarkesë e plotë për lojtarët e stolit. Kjo është formula e zgjedhur nga trajneri Sylvinho dhe stafi i tij për të përgatitur në mënyrën e duhur përballjen e radhës të grupit B kundër Kroacisë.

Jasir Asani shfaqi probleme fizike pas takimit me Axurrët, por pas trajtimit mjekësor ka rikthyer qetësinë në kampin kuqezi.

Lajm i mirë që gëzon stafin, i cili nuk do të vuaj nga problemet fizike të futbollistëve, për ta pasur grupin e plotë. Kuqezinjtë do të vijojnë stërvitjen me vetëm një seancë, në mënyrë që të jenë sa më të freskët për duelin e të mërkurës në orën 15:00 kundër ballkanasve, sfidë që do mund ta përjetoni ekskluzivisht në ekranin e TV Klan.

Përfaqësuesja jonë do të synojë të marrë pikë në takimin e dytë për të tentuar kalimin përtej fazës së grupeve. Momentalisht, të dy kombëtares, si ajo kuqezi dhe ajo kroate gjenden në kuotën e 0 pikëve në grupin B të Europianit.

Klan News