Besimtarët e krishterë katolikë kremtojnë të Dielën e Larit, që shënon nisjen e Javës së Madhe të Pashkëve.
Ky moment është i lidhur ngushtë me ritin e pastrimit dhe përgatitjes shpirtërore që ka për qëllim të udhëheqë besimtarët në rrugëtimin e tyre gjatë Javës së Madhe, që kulmon me Pashkët, festa e ringjalljes së Krishtit.
Besimtarë të shumtë katolikë morën pjesë në meshën e shenjtë.
Në Katedralen e Shën Nikollit në Lezhë, mesha u drejtua nga Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Monsinior Otavio Vitale.
“Sot jemi bashkuar që të bëhemi gati për atmosferën e Pashkëve… ta ndjekim Krishtin me fe të gjallë dhe përkushtim”, tha Vitale.
Edhe në Shkodër nuk munguan besimtarët në katedralen “Shën Shtjefni” .
“Të mundohemi edhe këtë javë të qëndrojmë në meditimin e mundimit të Jezusit për të zbuluar dashurinë e tij të madhe e për të kremtuar si duhet momentin e ringjalljes”, tha Giovanni Peragine, Arqipeshkv i Shkodrës.
Me 20 Prill kremtohet e diela e Pashkës katolike, e cila shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.
Tv Klan