Mediat: Betimi mund të bëhet të premten

Javë vendimtare, kjo për Mario Draghin i ngarkuar me detyrën për formimin e një qeverie uniteti në Itali, në kushtet e krizës së thellë të pandemisë, me pasoja politike, financiare dhe shoqërore për vendin.

Draghi nis nga kjo e Hënë konsultimet për përmbylljen e marrëveshjeve me partitë parlamentare për krijimin e një prej shumicave më të gjera qeverisëse të dekadave të fundit në këtë vend. Mediat italiane shkruajnë se betimi i qeverisë së re mund të bëhet që të Premten e kësaj jave.

Shpërndarja e fondit 200 miliardësh të ndihmës për pandeminë nga Bashkimi Evropian pritet të jetë një ndër çështjet kryesore të diskutimit me partitë politike. Ndër prioritetet kryesore pritet të jenë punësimi dhe vaksinat.

Javën e kaluar, Draghi arriti të sigurojë mbështetje edhe nga dy skeptikët, Lëvizja 5 yjet dhe Lega Nord me numrat më të lartë të deputetëve në dy dhomat e parlamentit italian, ndërsa kanë mbështetje edhe nga demokratët, Forca Italia e Italia Viva e Mateo Renzit, largimi i të cilës nga koalicioni, çoi në rrëzimin e qeverisë së Giuseppe Contes.

Tv Klan