Magjinë e ngjyrave të perëndimit të Diellit në verë, shtëpia e famshme italiane e modës Guçi e ka derdhur në koleksionin Pranverë – Verë 2025 për vajza dhe gra.

Stilisti Sabato de Sarno solli tek modelet që ecnin mbi një pasarelë ngjyrë vishme, veshje të stilit të viteve ’60. Binin në sy fustanet pa mëngë me ngjyra të ndryshme kryesisht të errëta, disa prej të cilëve të stolisur me kopsa të arta ose me dantella.

“E ardhmja perfekte” u titullua sfilata e Xhorxho Armanit, stilistit italian 90-vjeçar, i cili po ashtu prezantoi një koleksion të përbashkët për meshkuj dhe femra, po për periudhën Pranverë – Verë 2025.

Koleksioni i tij bazohet tek xhaketat, pantallonat, kostumet apo fustanet e lehta, ku dominojnë e zeza, e bardha dhe ngjyrat e zbehta. Të tilla janë edhe motivet në veshje, disa prej të cilave me shkëlqim.

Ndërsa koleksioni i ri Vjeshtë – Dimër 2025 për femra dhe meshkuj i Versaçes ka si motive zigzaget dhe lulet.

Ky koleksion bazohet tek moda e viteve ’90, ndërsa modelët sfiluan në një pasarelë të ndriçuar në formë X, në një sallë të errët.

Tv Klan