Pritet shkarkimi i presidentit , socialistet mbajnë kongresin, PD zgjedh kryetarin

Për herë të parë në historinë e politikës shqiptare do të votohet për shkarkimin e një presidenti. Në seancën parlamentare të 9 Qershorit, ligjvënësit do tu drejtohen kutive të votimit për të vendosur mbi raportin hetimor të Komsionit që hetoi 2 herë Ilir Metën, dhe së fundmi rezultoi se ka shkelur kushtetutën  duke u përfshirë në fushatën zgjedhore.  Për të shkarkuar kreun e shtetit mazhorancës i duhen 94 vota, që me ndihmën e opozitës parlamentare duket se nuk do ti ketë të vështirë t’i sigurojë.

Pas vendimit për të shkarkuar  ose jo Ilir Meten, në Tiranë do të mblidhen liderët e Ballkanit Perëndimor, në një samit që do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ky takim zhvillohet 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deri më tani nuk është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Vetëm dy ditë më pas, PS do të mbajë Kongresin e Jashtëzakonshëm që përkon dhe me 30-vjetorin e krijimit të partisë. Ri-organizmi i çdo strukture të PS do të jetë kryefjala e këtij kongresi i cili gjithashtu pritet të rezervojë surpriza, pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama se do të ketë ndryshime për të gjitha ata të cilët nuk arritën objektivin në zgjedhjet e 25 Prillit.

Kongresi i socialistëve një ditë më pas do t’ja lërë vendin garës brenda PD, ku Lulzim Basha do përballet me 3 kandidatë, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli. Pas humbjeve të zgjedhjeve të 25 Prillit, sfida më e madhe për PD është se kush do të udhëheqë partinë më të madhe opozitare.

Klan News