Java e tretë e bojkotit, Liga argumenton kërkesat


Java e tretë e bojkotit, Liga argumenton kërkesat

16:11 25/09/2020

Njoftohet qeveria se ku mbështeten për ndryshimet në ligj

Këtë fundjavë duhet të fliste sërish për futbollin. Skuadrat e Superligës duhet të ishin në ndeshjet e treta të sezonit të ri, por ende nuk është e qartë se kur do të nisë sezoni i ri.

Bojkoti në Kategorinë Superiore vazhdon dhe po ashtu vazhdon edhe përpjekja për të zhbllokuar ngërçin që ka kapur futbollin.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen e tyre zyrtare në rrjetet sociale, Liga Profesioniste e Futbollit njofton se i ka dërguar një material të fokusuar te Ligji i Sponsorizimit të deleguarit të qeverisë për këtë çështje, deputetit socialist Fidel Ylli.

Sikurse thuhet në njoftim, materiali i përgatitur nga një grup ekspertësh fokusohet kryesisht tek ligji për sponsorizimet, si një akt ligjor i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në Shqipëri, mbi bazën e standardeve dhe praktikave europiane.

“Propozimet e paraqitura nga Liga në këtë dokument mbështesin qartësisht idetë dhe rrugëzgjidhjet për një hop cilësor në drejtim të administrimit, formalizimit dhe fuqizimit të sporteve në tërësi, jo vetëm të futbollit”,  shkruhet në njoftimin e fundit të Ligës Profesioniste të Futbollit.

Në mungesë të ndeshjeve të kampionatit, edhe dje shumë skuadra të Kategorisë Superiore kanë zhvilluar ndeshje miqësore.

Tv Klan





Të ngjashme