Ngjiten në skenë emrat e njohur të skenës brenda dhe jashtë vendit

Edhe këtë të dielë, nuk mungoi magjia e muzikës së mirë dhe emocionet e artistëve të mirënjohur e atyre të rinj në skenën e të Dielës Shqiptare.

Nga skenat më prestigjioze, artisti i mirënjohur francez Alvan zgjodhi “Këngën Magjike” për projektin muzikor të radhës. Nga interpretimi në Grand Final në Eurovizion gjatë këtij viti, Alvan elektrizoi skenën e “Kënga Magjike” me muzikën e tij elekro rock.

“Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, është hera e parë dhe për mua është një rast që po udhëtoj duke bërë edhe muzikë. Kam dëgjuar shumë fjalë të mira dhe të bukura për Shqipërinë dhe mikja ime Ronela më ka këshilluar që të vija këtu. Jam i lumtur që kam ardhur me disa lloj rrymash muzikore në të njëjtën këngë”, u shpreh Alvan.

Pas 17 vitesh, artistja dhe fituesja e dy çmimeve të para në këtë festival, Irma Libohova kthehet në skenën më të madhe muzikore. Fenomeni social i divorcit, erdhi përmes poezisë dhe tingujve të këngës “ E jona”.

“Jam kthyer për të dhënë një mesazh, për të cilin nuk dua të flas gjatë. Do doja që emocionin t’ja lija skenës dhe njerëzit ta jetonin atë emocion ashtu si unë”, tha Irma Libohova.

“Ishe” është balada që ktheu artisten Blerina Braka për të gjashtin vit në skenën e “Kënga Magjike”

“Nga Kënga Magjika kam nje eksperiencë shumë të mirë. Është i vetmi vend ku ne shaplosim vlerat tona, se kështu këndojmë ne, por këtu është ndryshe”, u shpreh Blerina Braka.

Butonat e kuq dhe jeshilë janë emocioni i çdo artisti të ri që prek skenën magjike. Busulla e orientimit këtë javë me artistët Big u drejtua nga Franca, ndërsa në kategorinë New Artist – nuk mungoi Italia dhe Irlanda.

Të gjithë artistët që konkurruan këtë të dielë në kategorinë New Artist u kualifikuan në fazën e parë. Gara dhe emocionet vazhdojnë. Emra të mëdhenj priten ende për t’u zbuluar në edicionin e 23-të të Festivalit “Kënga Magjike”.

Tv Klan