Java ka nisur me kthjellime dhe ashtu do të vazhdojë deri ditën e enjte. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” bën me dije se parashikohet që ditën e premte, kthjellimet të ja lënë vendin reshjeve të shiut në Ultësirën Perëndimore dhe atyre të dëborës në zonat malore.

Lajda Porja: Java ka nisur me diell. Siç e kemi parë, kthjellimet do të jenë prezente gjatë kësaj jave, duke filluar që sot e deri të enjten, moti do të jetë kryesisht i kthjellët. Parashikohet që dita e enjte do të nisë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, ndërsa në pjesën e dytë të ditës do të ketë reshje në zonat veriore dhe disa zona në qendër, duke lënë jugun nën ndikimin e kthjellimeve. Dita e premte do të sjellë reshje në të gjithë territorin shqiptar. Të premten, do të kemi reshje shiu pothuajse në të gjithë Ultësirën Perëndimore dhe reshje dëbore në zonat malore. E premtja parashikohet të ketë edhe rrebeshe.

Këtë javë do të na shoqërojnë temperaturat shumë më të ngrohta se java që lamë pas, duke kulmuar me maksimalet e tyre ditën e enjte në 20 gradë Celsius.

Lajda Porja: Përsa i përket vlerave termike, temperaturat kanë pasur një rënie të lehtë. Mëngjesi relativisht i ftohtë në zonat malore, në Peshkopi minus 3 gradë, parashikohet që maksimalet sot të ngjiten në 14 gradë. Kjo javë do të jetë një javë shumë më e ngrohtë duke e krahasuar me javën që lamë pas. Dita e martë dhe dita e mërkurë, po ashtu edhe e enjtja të sjellin rritje të temperaturave, sidomos në mesditë, duke bërë që maksimalet do të arrijnë deri në 20 gradë ditën e enjte. Parashikohet që nga e hëna në të enjte, të shikojmë një mot jo të zakonshëm përsa i përket Dhjetorit. Kjo javë do të jetë e ngrohtë. Dita e premte do të sjellë rënie në mesditë për shkak se do të kemi prezencën e reshjeve, ka sinjale që edhe fundjava do të jetë e paqëndrueshme./tvklan.al