Veliaj: Gati projektet për 870 banesa

Procesi i rindërtimit në Tiranë do të nisë javën e ardhshme. Në kryeqytet janë listuar 870 shtëpi të dëmtuara nga goditja sizmike e Nëntorit 2019 që do t’i nënshtrohen rikonstruktimit ose rindërtimit të plotë.

“Lajmet më të mira do t’i kemi javën tjetër, me ndërtimin e 870 shtëpive të reja, sapo të mbarojmë me të gjitha procedurat për ofertat. Mandej, do të shpërndahemi në të gjithë territorin që të shfrytëzojmë kohën gjatë verës. Një gjë është e sigurt, kur ne shqiptarët punojmë bashkë bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.

Ndërkohë gjatë kësaj periudhe Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me kompanitë private që janë ofruar të japin kontributin e tyre, ka vijuar me ndërtimin e shtëpive që u klasifikuan si të pabanueshme pas tërmetit të Shtatorit. Një prej tyre është dhe shtëpia e familjes Kalleshi në Pezë Helms që ju është dorezuar çelësi i banesës së re nga kryebashkiaku Veliaj.

“Premtuam se festa e Bajramit do të na gjente me shtëpinë e re, dhe falë miqve si Visari, kjo u bë e mundur në kohë rekord”.

Gjatë drekës së shtruar nga familja Kalleshi, Veliaj diskutoi dhe për projektet e reja dhe debatin që ato kanë ndezur, dhe padyshim nuk harron atë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar që premton se do të nisë zbatimin në Shtator, edhe pse ende nuk është miratuar projekti përfundimtar.

Tv Klan