Gjatë pjesëmarrjes në konferencën e sigurisë në Munich, zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance ka kritikuar ashpër liderët europianë për injorimin e vullnetit të popullit të tyre për mosdëgjimin e zërit të atyre me qëndrime alternative.

Sipas JD Vance, mandati qeveritar nuk merret duke censuruar kundërshtarët, duke arrestuar oponentët apo liderin e opozitës dhe as duke paditur gazetarët.

“Ju nuk mund të fitoni një mandat qeverisës duke censuruar kundërshtarët, duke arrestuar oponentët tuaj apo liderin e opozitës, as duke paditur gazetarë që raportojnë lajme! Ne duhet të bëjmë më shumë në praktikë sesa vetëm të flasim për vlerat demokratike. Unë thellësisht besoj se nuk duhet të keni frikë nga zërat dhe opinionet alternative për atë sesi liderët po drejtojnë shtete të ndryshme europiane. Fjala e lirë, kam frikë, se po censurohet”, tha Vance.

Ai foli për largim të Europës së Bashkuar nga disa nga vlerat e saj më themelore, vlera të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vance akuzoi kryeministrat evropianë, që ai i quajti “komisarët” e Bashkimit Evropian, se ishin më të interesuar më shumë në mbytjen e fjalës së lirë sesa në sigurinë e jetës për qytetarët e tyre.

Është e qartë, sipas tij se administrata e Trump është shumë e ndryshme nga ajo e ish-Presidentit Joe Biden.

“Në Uashington ka një sherif të ri në qytet. Nën udhëheqjen e Donald Trump, ne mund të mos pajtohemi me pikëpamjet tuaja, sepse do të luftojmë për të mbrojtur të drejtën e denoncimit publik, bini dakord ose nuk pajtoheni. Përjashtimi i njerëzve nga jeta politike, hedhja poshtë shqetësimeve të tyre… mbyllja e mediave, manipulimi i zgjedhjeve është mënyra më e sigurt për të shkatërruar demokracinë. Nëse ju po vraponi nga frika e votuesve tuaj, Amerika nuk mund të bëjë asgjë për ju”.

Vance përmendi shifrat e larta të migracionit si rezultat i një sërë vendimesh të papërgjegjshme nga politikanët në kontinentin evropian.

Fjalimi i Vance shkaktoi shqetësime në Mynih, ku audienca priste njëfarë qartësie mbi komentet e fundit konfuze të administratës se re amerikane për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, pikëpamjet për Rusinë dhe nëse trupat amerikane do të tërhiqen nga Europa.

Vijon konfuzioni dhe zhgënjimi në Evropë, pasi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth befasoi aleatët duke thënë se Ukraina nuk mund të kthehet në kufijtë e saj para pushtimit dhe përjashtoi anëtarësimin e ardhshëm të saj në NATO.

Klan News