Presidenti Ilir Meta ka denoncuar këtë të hënë rastin e një sipërmarrësi në lidhje me çështjen e patronazhistëve. Meta solli në Presidencë, Erion Manen, i cili zotëron një biznes dhe sipas tij është gjobitur padrejtësisht nga autoritetet. Kreu i shtetit tha se Mane ka qenë në survejim pas një takimi që ka bërë në Presidencë.

“Kjo tregon sesi patronazhistët ndjekin dhe survejojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë që bëjnë postime pro qeverisë ose kundër qeverisë dhe duke parë çfarë problemi kanë apo si e kanë punën ua shpërndajnë drejtorisë shtet dhe u bëhet jeta e pamundur që ose t’u dorëzohen shtetit të rilindjes”, tha Meta.

“Zoti Erion jeni në besën time. Çdo gjë që të ndodh ty e kam personale me bablokun e Rilindjes”, shtoi Meta.

Ndërkohë biznesmeni në fjalë bëri publike një bisedë që ka bërë me drejtorin e DPSHTRR-së, Blendi Gonxhen. Ai konfirmoi se pas takimit në muajin Qershor në Presidencë për lirimin e masave të pandemisë ka marrë gjoba të herë pas hershme nga autoritetet rrugore me një ligj që sipas tij është rrëzuar. Por kjo situatë, sipas Manes është përsëritur të shtunën. Për pasojë, ai i është drejtuar drejtuesit të DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, ku ka denoncuar rastin e tij.

Gonxhe, sipas Manes, ka qenë në mbështetje të tij deri në momentin që i ka nisur një foto nga rrjetet sociale të sipërmarrësit, ku Mane kishte hedhur një shprehje të Monika Kryemadhit.

“Një orë më vonë, nga personi që mbaja shpresat dhe që më dha të drejtë, më vjen kjo foto personale e imja që është e muajit Shkurt ku unë kam shprehur, një foto të zonjës Kryemadhi dhe një thënie të saj”, tha Mane.

Ai publikoi edhe përgjigjen e Gonxhes për këtë rast.  

“Asgjë ndonëse sipas teje unë i bie të jem ndonjë gjethe e kalbur”.

Mane tha se në përgjigjen e tij është munduar që ta kalojë me të qeshur, por pas kësaj Gonxhe i ka dërguar edhe një video për propagandë politike që Mane tha se nuk i takon atij.

“I ke shkruar atij që po punon të ndreqë baltën “tuaj””, ishte përgjigja e Blendi Gonxhes.

Mane është shprehur i habitur nga situata dhe tha se është i gatshëm të shkojë para drejtësisë për këtë çështje./tvklan.al