Jelekëverdhët francezë kanë gati edhe trupa paramilitare për të rrëzuar Presidentin Emanuel Makron. Këtë e rrëfen vetë Kristof Shalenson, njëri prej drejtuesve të lëvizjes që prej muajsh e ka shndërruar Parisin në arenë përleshjesh me policinë. Rrëfimin ua bëri pa e ditur se po filmohej, disa gazetarëve italianë që po xhironin një reportazh në shtëpinë e tij.

“E di që rrezikoj shumë. Mund të marr një plumb në kokë në çdo moment. Por sot kemi arritur në atë pikë saqë nëse më qëllojnë, bie edhe Makroni. Populli dyndet në Elize dhe shkatërron gjithçka. Kemi njerëz, paraushtarakë të gatshëm për të ndërhyrë.”

Reagimi i Shalensonit erdhi teksa u pyet për ligjin e miratuar javën e kaluar nga parlamenti francez që praktikisht synon të ndalojë protesat e dhunshme të jelekëverdhëve. Shalenson kërcënoi presidentin Makron me gijotinë nëse përdor armët ndaj protestuesve. Të shtunën e kaluar policia u kundërpërgjigj ashpër gjatë tentativës së jelekëverdhëve për të pushtuar parlamentin. Shalenson ka lidhur aleancë për zgjedhjet europarlamentare me italianët e 5 Yjeve, çka shkaktoi tensione diplomatike mes Francës dhe Italisë.

Tv Klan